English

PS paralajmëron sërish: Opozita nuk hyn në parlament pa u hapur kutitë

Tiranë, 8 tetor NOA - Partia Socialiste paralajmëroi se nuk hyn në parlament pa u hapur kutitë duke komentuar se pushteti fsheh forcërisht të vërtetën e mbyllur në kutitë e votimit.

Po ashtu, PS paralajmëron se "ne do të përshkallëzojmë qëndrimet tona në çdo rrugë të vendit për të bërë të mundur që kutitë të hapen dhe e vërteta të dalë në dritë, që të mos ndodhë më që zgjedhjet të grabiten në këtë vend, që të mos ndodhë më që njerëzit të largohen nga puna për shkak se nuk kanë mbështetur pushtetin në zgjedhje".

Ndërkohë, PS lëshoi sot në mesditë një ftesë për qytetarët që të mblidhen në protestë, para Kryeministrisë në orën 17.00, pasditen e së Shtunës, "për t'i thënë Sali Berishës se nuk mund të luajë me votën dhe liritë e shqiptarëve".

"Duam të numërojmë vota tona, një e drejtë legjitime kjo, dhe pjesë e transparencës në çdo proces zgjedhor demokratik", - tha deputeti i PS, Blendi Klosi, duke shtuar se "Sali Berisha ka frikë nga e vërteta e fshehur në kutitë e votimit, pasi vullneti i shqiptarëve është deformuar nga vetë e ai e shpura e tij".

"Të shtunën në orën 5 pasdite para kryeministrisë, - vijoi Klosi, - të gjithë shqiptarët që nuk duan të jetojnë nën një diktaturë të re dhe me një diktator të një stili të ri, janë të ftuar të jenë pjesë e manifestimit tonë, të bashkojnë zërin me ne për të bërë të mundur transparencën zgjedhore, për të çliruar votën nga korrupsioni shtetëror".Â

Klosi vuri në dukje se raporti i OSBE ODIHR thekson se në zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri një e treta e numërimit të votave është bërë keq dhe shume keq.

Sipas Ligjit Zgjedhor nëse dy anëtarë të KQZ kërkojnë të hapin kutitë e votimit, këto kuti hapen.

Këtu klosi vëren se ligji u shkel nga ushtarët e Berishës. "Ndaj të shtunën para kryeministrisë në orën 5 pasdite ftojmë të gjithë të marrin pjesë në manifestimin e protestës që pushteti mos ngrihet më mbi ligjin, që kutitë të hapen dhe votat e opozitës të mos grabiten më", - përsëriti Klosi, ftesën e PS.

e.r/NOA

KOMENTE