English

Shqipëria në BE, Ilir Meta: Përshpejtimi i procesit varet nga vullneti politik i Brukselit

Tiranë, 8 tetor NOA-Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, vlerëson se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në familjen evropiane do të vijojë por nuk varet vetëm nga reformat e Shqipërisë por dhe nga besimi dhe vullneti politik i Brukselit për të përshpejtuar procesin.

Pas takimit të ministrave të vendeve të Evropës Qendrore të njohur si grupimi i Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor në Budapest, Meta ka deklaruar në një intervistë për agjencinë e lajmeve BBC se një rëndësi pati dhe miratimi i Traktatit të Lisbonës nga Irlanda e cila jep shpresa se procesi i zgjerimit të BE-së do vijojë.

Ky takim në Budapest mes ministrave të jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor, me praninë edhe të presidencës së radhës së BE, Ministrit të Jashtëm të Spanjës dhe atij të Belgjikës, synon të vijojë me prioritet axhendën e Ballkanit perëndimor gjatë presidencave të ardhshme të BE-së.

Kuptohet që interesi i Shqipërise është shumë i lartë për shkak të një axhende intensive që pritet të vijë në muajt e ardhshëm.

Ndiqni më poshtë intervistën e ministrit të Jashtëm Ilir Meta dhënë agjencisë së lajmeve BBC

Pas ‘PO'-së irlandeze për traktatin e Lisbonës, dhe faktit që Spanja në janar merr Presidencën e radhës në BE, çfarë erërash fryjnë kur është fjala për zgjerimin e BE dhe konkretisht për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE?

‘PO'-ja irlandeze është një rezultat tepër pozitiv, po të kemi parasysh dështimin në të kaluarën, dhe natyrisht që është një premisë për ti hapur rrugë asaj reforme të rëndësishme të vetë BE-së, që parashikohet me hyrjen në fuqi të traktatit të Lisbonës.

Ne besojmë se procesi i zgjerimit do të vijojë, aq më tepër kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor ku BE që në samitin e Selanikut është angazhuar në mënyrë të qartë që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së në të ardhmen.

Natyrisht që është një proces i dyanshëm, ku në radhë të parë kërkohet vijimësia e reformave nga ana e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të këtij rajoni.

Ne besojmë se edhe gatishmëria dhe vullneti politik i BE-së do të tregohet në të ardhmen për të përshpejtuar këtë proces.

Kryeministri shqiptar Sali Berisha vazhdon vizitën e tij dyditore zyrtare në Kosovë, ndërsa ju dje keni takuar homologun tuaj serb Vuk Jeremiç.

Me çfarë përshtypjesh jeni larguar nga ky takim, kur është fjala për dallimet evidente për sa i përket çështjes së Kosovës.

Takimi me Ministrin e jashtëm të Serbisë z. Jeremiç, ka qenë në tërësi i një fryme konstruktive, ku dihen dallimet dhe qëndrimet e ndryshme për çështjen e Kosovës, por njëkohësisht ku u demonstrua dëshira dhe vullneti i të dy palëve për të ecur përpara në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale midis Shqipërisë dhe Serbisë, jo vetëm në interesin reciprok të dy vendeve, por edhe në një kuadër më të gjerë, pasi dihet se një bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Serbisë jep mesazhe shumë pozitive për një klimë konstruktive për rajonin tonë.

Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë pasi edhe Serbia edhe Shqipëria kanë një të ardhme të përbashkët, atë të Bashkimit Evropian, dhe ne dëshirojmë të ecim në një mënyrë konstruktive në këtë drejtim.

Kryeministri shqiptar dhe homologu i tij kosovar z. Thaçi dje kanë lënë të kuptohej se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të veçanta por që kombi shqiptar është një dhe i pandashëm.

Ndërkohë bëhet e ditur se Ministri i Jashtëm i Rusisë Lavrov ka shprehur rezerva për qëndrimet e palës shqiptare lidhur me Kosovën dhe konceptin e kombit shqiptar si një dhe i pandashëm.

Keni ndonjë përgjigje lidhur me këto rezerva të homologut tuaj rus?

Kam ndjekur një deklaratë të Ministrit të Jashtëm rus. Z. Lavrov.

Mendoj se ka qenë rezultat i keqinterpretimeve të deklaratave të kryeministrit Berisha, për më tepër ku ka referenca të cilat janë krejtësisht të pavërteta.

Asnjë herë Shqipëria nuk ka deklaruar se synon të unifikojë territoret ku jetojnë shqiptarët.

Përkundrazi, shqiptarët kudo që jetojnë, janë bërë pjesë e proceseve integruese të vendeve ku ata jetojnë, dhe në këtë drejtim, unë mendoj se Shqipëria ka një politikë tepër të qartë dhe konstruktive e cila ka të bëjë me bashkimin e shqiptarëve pikërisht pra në Bashkimin Evropian, së bashku dhe me popujt dhe kombet e tjera të Ballkanit.

KOMENTE