Strasburg, 8 Tetor NOA/ Express Update - Shtyhet sërish shqyrtimi i kandidaturës së Shqipërisë nga diplomatët e Bashkimit Evropian.
Megjithëse Presidenca Suedeze e kishte përfshirë në agjendën e diskutimeve të komitetit të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare, shqyrtimi i aplikimit është hequr nga agjenda për shkak se Gjermania ka kërkuar më shumë kohë. Duke iu referuar një ligji të ri të imponuar nga Gjykata Kushtetuese si kusht për ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, diplomatët gjermanë kanë shpjeguar në takim se ende nuk janë të qartë nëse duhet respektuar Bundestagu, përpara se te shprehet qëndrimi për aplikimin e Shqipërisë. Në një rast të tillë, shqyrtimi i kandidaturës do të shtyhej për më shumë se një muaj, pasi mbledhja e pare e Dhomës së Ulët të parlamentit gjerman është në fund të tetorit. Shqipëria aplikoi për statusin kandidat 6 muaj më parë dhe komisioni pret dritën e gjelbër nga Këshilli i BE-se për të nisur përpilimin e opinionit mbi gatishmërinë e vendit për të marrë statusin kandidat. Në këtë fazë të procesit, dhënia e mandatit ndaj Komisionit nuk kërkon diskutime në nivel të lartë përfaqësimi të vendeve anëtare. Me t'u miratuar në Komitetin e përfaqësuesve të përhershëm, Këshilli i parë i ministrave evropianë që do të mbahet pas këtij takimi do të komunikojë dhënien e pëlqimit mbi kandidaturën, pa diskutime të mëtejshme, në mënyrë që Komisioni të nisë procesin teknik me dërgimin e pyetësorit qindrafaqesh ndaj autoriteteve shqiptare.Â