Tiranë, 8 tetor NOA-Personat me aftësi të kufizuar kërkojnë që dhe Shqipëria sikurse vendet e tjera të botës të ratifikojë konventën e OKB për të drejtat e kësaj kategorie.
Nga ana e saj, ministria e Punës, në bashkëpunim me ekspertë dhe organizata të fushës së aftësisë së kufizuar, do të studiojë dhe vlerësojë mundësinë e ratifikimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (PAK), që përbëjnë rreth 3% të popullsisë në vend.
Objektivat për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (PAK) prej dy vjetësh janë bërë pjesë edhe të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, dhe gjatë vitit 2007 filloi të implementohet legjislacioni i ri i mbrojtjes sociale, i cili zgjeron kufijtë e mbështetjes në cash për personat me aftësi të kufizuara.
Strategjia e Mbrojtjes Sociale ka thelluar më tej reformën në fushën e shërbimeve me decentralizimin e shërbimeve rezidenciale për PAK dhe kalimin e përgjegjësive në pushtetin vendor; ngritjen e shërbimeve të reja komunitare dhe sigurimin e vazhdimësisë së tyre me fonde nga strukturat e qeverisjes vendore; përfshirjen e shoqërise civile, OJF-ve dhe sektorin privat në ofrimin e këtyre shërbimeve.