Tiranë, 8 Tetor NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka zhvilluar sot një lobim të paparë për atë që e cilëson përpjekje për të fituar të drejtën e vjedhur nga pushteti aktual.
Rama ka arritur të mbledhë në takime kokë më kokë dhe në tryeza të përbashkëta, drejtues të disa partive të majta dhe të djathta si dhe të qendrës e po ashtu, drejtues të sindikatave që njihen si afër PS dhe LSI-së.
Kryesocialisti Edi Rama kishte ftuar në mesditën e të enjtes kryetarët e koalicionit opozitar, Skënder Gjinushi PSD, Vangjel Dule PBDNJ, Paskal Milo PDS, Erion Veliaj G99, si dhe të partive të djathta Nard Ndoka PDK, Spartak Ngjela PLD, Ylber Valteri PBD, si edhe ish drejtues të LSI, Ndre Legisi, Mustafa Muçi.
Ndërsa nga shoqëria civile kanë qenë të pranishëm, Kol Nikolla përfaqësues i Sindikatave, Fixiri Xibri përfaqësues i Minatorëve, Isa Gorica, përfaqësues i Pensionistëve si edhe një përfaqësues nga Ish Ushtarakët. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe ish-deputeti i PD, Preç Zogaj.
Rama
Për kryetarin e PS, Rama, "shumica kërkon hetimin e zgjedhjeve". Ndaj ai u shpreh se është "shumë krenar që vendimi ynë për mos hyrjen në Parlament nuk përfaqëson thjesht Partinë Socialiste, por përfaqëson shumicën e shqiptarëve, majtas e djathtas që janë grabitur në 28 qershor dhe që përmes gjithë përfaqësuesve të tyre, qofshin përfaqësues politik apo përfaqësues të interesave dhe grupeve të ndryshme, shprehën qëndrim të palëkundur ndaj këtij Parlamenti pa legjitimitet deri në plotësimin e kërkesave legjitime që kanë të bëjnë me transparencën e një proces zgjedhor të turpshëm, pa standarde".
Rama e konsideroi 28 qershorin si ditë të "një procesi zgjedhor që nuk është një proces zgjedhor që bëhet në një vend anëtar të NATO-s, një vend që troket në BE, një vend ku jetojnë qytetarë e qytetare të Evropës nga Tropoja në Konispol".
Nga ana tjetër Rama tha se është po ashtu shumë i kënaqur që rruga jonë e mos hyrjes në Parlament dhe e rezistencës demokratike në shfaqjen e këtij refuzimi përmes protestave, nuk është vetëm rruga e PS, por është rruga e asaj shumice të madhe që sot përfaqësohej në tavolinën ku ne u takuam.
"Është një rrugë që nis të shtunën pasdite, në këtë bulevard dhe që nuk mbaron, por përkundrazi vazhdon në të tjera sheshe të Shqipërisë dhe shtrihet në të gjitha rrugët e Shqipërisë", - tha Rama.
Dule
Në takim u bashkua edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. Ai refuzoi të përgjigjej kur u pyet nga gazetarët nësë do të jetë pjesë e protestës së opozitës: "PBDNJ është që në momentet e para të zgjedhjeve të 28 qershorit, që ka shprehur shqetësime shumë jetike në lidhje me mënyrën e zhvillimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit, dhe natyrisht që është pjesë e këtij shqetësimi".
Këmbënguljes së gazetarëve, nëse "do të jenë pjesë e protestës së shtunën partitë e djathta që janë në takimin e sotëm?", Dule iu përgjigj sërish në mënyrë evazive:
"Ajo mbetet për t'u shprehur prej tyre, është kënaqësi që rrethi i politikanëve dhe i forcave politike që janë të shqetësuara për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit është duke u shtrirë, dhe duke u konsoliduar. Kjo provon vërtetësinë e shqetësimeve tona që në momentet e para".
Kreu i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri
Mbështesim protestën e votës së PS për arsye sepse pas marrëveshjes që bëmë me Partinë Socialistë përpara zgjedhjeve, shumica dërrmuese e minatorëve kanë votuar për PS, ndërkohë që vota e PS është vjedhur. Vota e vjedhur është votë që i është vjedhur minatorëve, që i është vjedhur statusit të minatorëve, prandaj ne e mbështesim totalisht protestën e ditës së shtunë.
Spartak Ngjela i PLD
Ngjela tha se qëllimi i takimit ishte që "edhe ne të spektrit të djathtë ti japim mbështetjen dy pikave esenciale të kohës: bojkotit dhe protestave".
Ngjela tha se "ne kërkuam garanci nga grupi parlamentar i PS, i cili është i vetmi grup që bojkoton, të vijoj me konsistencë bojkotin, dhe pastaj protesta nuk ka vetëm një ditë, do jetë vazhdimisht deri sa të bjerë kjo qeveri".
Kurse paralajmëroi se nuk do të bëhet pjesë e protestës së të shtunës, por "në momentin që do kërkohet dorëheqja e qeverisë do marrim pjesë dhe ne në protesta pavarësisht nga ngjyra".
PDS, Paskal Milo
Kreu i PDS,
Milo i cili nuk është më deputet, tha se "ditën e shtunë ne nuk do të dalim këtu në bulevard për të rrëmbyer pllakat e bulevardit, për të sulmuar institucionet, as nuk do të dalim me vete me shishe molotov që të godasim zyrën e kryeministrit, por përkundrazi do të dalim me një mesazh shumë të qartë, paqësor të qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkojnë që të ndalet deformimi i votës dhe i vullnetit të tyre politik njëherë e përgjithmonë në Shqipëri".
Kreu i G99 Erion Veliaj
Veliaj konfirmoi siç pritej se do t'i bashkohej protestës, duke i bërë ftesë dhe "të gjithë të rinjve".
Veliaj komentoi takimin e sotëm duke thënë se kjo nuk ishte një tryezë e liderëve të shumë partive, por "ajo tryezë kishte mbi 900 mijë vota shqiptarësh, që sot fatkeqësisht gjenden në këtë bulevard të drejtuar nga njerëz që përfaqësojnë pakicën e qytetarëve të këtij vendi, ndaj ftoj gjithë qytetarët të shtunën, besoj që do të jetë protesta e parë e një vale protestash në të gjithë territorin e Shqipërisë".
Ish-drejtues i LSI Ndre Legisi
Legisi sqaroi sot se shkëputja nga LSI ka ndodhur që me refuzimin e kërkesës së një grupi anëtarësh të kryesisë së LSI, se nëse Meta e LSI do të bashkëpunonte me Berishën, ne nuk do të ndiheshim më anëtar të LSI e për pasojë mbeteshim socialist.
Legisi vijoi duke thënë se "ne po bëjmë marrëveshje për të ndryshuar gjithçka që është e gabuar në këtë vend, gjithçka që ka dëmtuar demokracinë në Shqipëri. E askush nuk ka të drejtë të paragjykojë mundësinë për të ndryshuar të cilitdo, që është penalizuar, siç është penalizuar në rastin konkret nga vjedhja e votave, PS".
Për L
egisin, "duhet të ketë një fund edhe kjo gjë, e unë mendoj që ka ardhur koha që t'i vijë fundi edhe momentit të vjedhjes së votave të shqiptarëve, e numërimit të votave ashtu siç e do populli qeverisjen, e jo të marrin vota nga e majta e të qeverisin nga e djathta".
Kreu i Konfederatës së Sindikatave Kol Nikolla
Nikolla siguroi se "ne do të marrim pjesë të gjithë në protestën e ditës së shtunë dhe do të përkrahim gjithë këtë lëvizje përtej të majtës dhe të djathtës, në bashkim të forcave të majta dhe të djathta politike që duan një demokraci të vërtet, që duan një demokraci që t'ju shërbej punëtorëve jo që t'ju marrë pronat, t'ju marrë zyrat t'i nxjerrë në rrugë, të rrisë çmimin e energjisë elektrike, të mos pranojë krizën, të rrisë varfërinë".
Kreu i PSD, Skënder Gjinushi
Për Gjinushin, ka një bashkim të majtë, të djathtë, të gjithave forcave që janë për një demokraci të vërtetë, që janë për rikthimin e votës së lirë.
"Tavolina e mbledhur sot dhe që i bën apel qytetarëve për protestë të shtunën, këtu në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", - tha Gjinushi, - përfaqëson 900 mijë vota të shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit", duke dashur të theksojë se protesta nuk bëhet në emër të humbësve, por "në emër të atyre që përfaqësojnë shumicën e popullit shqiptar e që padrejtësisht ndodhen në opozitë nga deformimi i votës dhe nga shitja e votës që ka bërë LSI".
e.r.f.sh/noa/