Vlorë, 8 tetor NOA - Një punonjës policie dhe një emigrant i kanë dhënë fund jetës sot për shkak të gjendjes depresive në të cilën ndodheshin.
Të paktën këtë motiv ka dhënë policia pas hetimit të dy vetëflijimeve të ndodhura ditën e sotme në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës.
Ngjarja e parë u regjistruar në qytetin e Vlorës kur një 46-vjeçar punonjës policie i portit të Vlorës është kthyer në banesën e tij dhe i ka kërkuar bashkëshortes se do të qëndronte disa minuta vetëm në dhomë.
Por vetëm pak çaste më vonë është dëgjuar dhe krisma e pistoletës ndërsa babai i dy fëmijëve gjendej në grahmat e fundit të jetës në dysheme.
Ka qenë e kotë ndërhyrja e mjekëve pasi 46-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Policia deklaroi se dyshohet të ketë qenë gjendja e rëndë e depresionit në të cilën ndodhej punonjësi i policisë shkaku që e ka detyruar atë të ndërmarrë aktin fatal.
Të njëjtin shkak dyshohet të ketë pasur edhe një 48-vjeçar i cili kishte vetëm 10 ditë që ishte kthyer nga emigracioni.
Babai i dy fëmijëve është gjetur i varur në banesën e tij në fshatin Kanin të Vlorës.
k.k/NOA