English

EULEX-i është drejtësia në reklamë. A do ta blejë kush?

Janë tri fotografi kryesore në këto reklama, ashtu siç janë tri protokolle të EULEX-it me Serbinë. I pari është ai i gjyqësisë: një çekiç që rri pezull e i cili nuk është në duar të ndonjë gjykatësi me xhybe klasike të zezë, por në dorën e një burokrati me kostum (sako e këmishë). Vetëm se ky burokrat nuk ka asgjë tjetër në atë tavolinë shumë të gjatë - kurrfarë dokumenti, as laps e as bllok shënimesh; aty ndodhet vetëm çekiçi, pra çekiçi në një zbrazëti që simbolizon vendimin arbitrar par excellence

Nga Albin Kurti

Pas këtij protokolli për bashkëpunim policor, gjithnjë e më shumë, Policia e Kosovës edhe praktikisht do të bëhet polici e EULEX-it. Para shpalljes së pavarësisë ishte polici e UNMIK-ut, mandej përkohësisht polici e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, dhe tash e tutje polici e EULEX-it. Gjithsesi, EULEX-i po përpiqet të marrë sa më shumë terren në Kosovë me shpejtësi sa më të madhe. Terren ky i cili është terren sovraniteti e që do të duhej t'i përkiste Qeverisë së Kosovës. Megjithatë, nuk është se Kosovës po i cenohet sovraniteti me këtë protokoll e me protokollet që do të vijnë më pas. Më parë se kjo e më saktë se kaq, po treten mundësitë që të bëhemi sovranë ndonjëherë, pasi që dihet se pavarësia që kemi është vetëm formale: pavarësi pa tërësi territoriale e pa sovranitet. Me protokollin policor EULEX-Serbi nuk luftohen krimet në Serbi. Me këtë protokoll nuk do të luftohen as krimet në Kosovë. Me protokollin EULEX-Serbi në shënjestër është vënë krimi ndërkufitar. Pra, thuajse dëshirohen krime të pavarura, të ndara nga njëra-tjetra, thuajse duan t'i izolojnë krimet por jo edhe me gjithë mend t'i zgjidhin ato. Në Serbi Yves de Kermaboni bashkëpunon me Ivica Daçiqin, tash ministër i brendshëm që terrorizon shqiptarët në Luginë të Preshevës, por edhe më i njohur për neve si zëdhënës i partisë së Milosheviqit kur ky i fundit ishte në pushtet. Në Kosovë Yves de Kermaboni bashkëpunon me politikanët e lartë të korruptuar të Kosovës, por edhe kontakton e komunikon me strukturat e Serbisë. Ky protokoll që, me demek, do ta luftojë krimin, ka nevojë që vetë të dekriminalizohet. Ky protokoll nuk vuan më pak nga krimi sesa Kosova, Serbia e kufiri midis tyre. Ky protokoll varet nga kriminelët. Prandaj, efekti kryesor i tij nuk është në sferën e sigurisë por në atë të politikës: shtimi dhe trashja e lidhjeve të varësisë të Kosovës me Serbinë. Nuk e di nëse është çështje javësh apo muajsh kur sërish do të kërkohen negociata të reja ndërmjet Prishtinës e Beogradit. EULEX-i është neutral ndaj statusit të Kosovës e jo ndaj pavarësisë. EULEX-i as që e përmend pavarësinë. Sepse EULEX-i konsideron se statusi vazhdon të jetë i papërcaktuar dhe, rrjedhimisht, statusi i Kosovës është çështja diskutabile e jo pavarësia. Për EULEX-in pavarësia nuk është çështje e diskutueshme sepse, thjesht, pavarësia nuk është. Asnjëri prej organizmave apo instancave ndërkombëtare që sundojnë në Kosovë nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. As UNMIK-u, as EULEX-i, as KFOR-i... Vetëm Pieter Feithi... në të vërtetë, gjysma e Pieter Feithit. Por, edhe ajo gjysma e Pieter Feithit që e pranon pavarësinë e Kosovës, në një këso ambienti legal, juridik e politik, natyrshëm vjen duke u zvogëluar. Pozita e tij si PSBE po metastazon në llogari të pozitës së tij si PCN. Prandaj, për fillim, duan ta ndajnë gjysmën e Pieter Feithin në gjysmë Pieter Feith dhe në Michael Giffoni, në mënyrë që ta shpëtojnë Pieter Feithin. Me dy kapela, ku njëra prej tyre gjithnjë e më pak shihej meqë po futej nën tjetrën, Pieter Feith po diskreditohej me shpejtësi në sytë e opinionit dhe rrezikonte të bëhej i papërdorshëm. Gjithsesi është shtuar numri i njerëzve që e kanë kuptuar se sa padrejtësisht është mbivlerësuar Pieter Feithi për të cilin thuhej se na e pranonte pavarësinë, ndonëse as që e përmendte atë ndonjëherë. Por natyrisht që më së shumti do të vazhdojë të diskreditohet EULEX-i me protokollet që vetëm sa kanë nisur. Ky është shkaku pse EULEX-i është shndërruar në një agjenci marketingu që merret me disenjime reklamash: billboard-a të shtrenjtë që kushtojnë 400 euro për copë në muaj (pra, dyfishi i pagës mesatare të kosovarëve që kanë fatin të jenë të punësuar) dhe dhjetëra mijëra fletushka për shpërndarjen e të cilave ai i paguan me nga 18 euro në ditë secilin person (por kryesisht fëmijët që as nuk e dinë se çfarë po bëjnë). EULEX-i është drejtësia në reklamë. A do ta blejë kush? Janë tri fotografi kryesore në këto reklama, ashtu siç janë tri protokolle të EULEX-it me Serbinë. I pari është ai i gjyqësisë: një çekiç që rri pezull e i cili nuk është në duar të ndonjë gjykatësi me xhybe klasike të zezë, por në dorën e një burokrati me kostum (sako e këmishë). Vetëm se ky burokrat nuk ka asgjë tjetër në atë tavolinë shumë të gjatë - kurrfarë dokumenti, as laps e as bllok shënimesh; aty ndodhet vetëm çekiçi, pra çekiçi në një zbrazëti që simbolizon vendimin arbitrar par excellence. Së dyti, kemi fotografinë për hetimet policore ku aludohet se policia krahason e analizon gjurmë të ndryshme të gishtave nën llupë. Kosova lëngon prej krimit i cili është aq i madh saqë na e ka zënë shikimin, e jo prej atij që mezi vërehet nën llupë. Duket që EULEX-i bën me gisht drejt një lisi, gjersa të gjithë ne qytetarët po e shohim pyllin. Dhe, së treti, kemi monedhat e imëta të cilat tregojnë më së miri se sa po mblidhen të holla nëpër dogana duke iu falënderuar EULEX-it. EULEX-i vetë po na e tregon se ato janë para lypsarësh. Zaten, në pikat veriore 1 dhe 31, EULEX-i sillet veçse si lypsar në raport me ato 300 maune që hyjnë për çdo ditë nga Serbia. EULEX-i u sugjeron atyre, pra iu lutet, që ta paguajnë doganën (sic!). Dhe, ato çka i ka mbledhur, i ka vënë sipër njëra-tjetrës, që të duken më shumë, sepse duheshin fotografuar për këtë pano mandej. Po çfarë bëjnë ndërkohë këta politikanët tanë që drejtojnë institucione e parti? Cili është reagimi i tyre (se për strategji a veprim s'ka më kush shpresë)? Ata nuk harrojnë që ta përsërisin qëndrimin e tyre kundër protokollit, anipse duke e zbutur e rralluar atë. Qëndrimin? Deklaratën, më saktë. Qëndrim do të thotë të mbetesh në pozicion të caktuar, ta ruash atë pozicion konkretisht. Në këtë kuptim, Sejdiu, Thaçi e të ngjashmit, nuk kanë qëndrime por vetëm deklarata. Deklarata që, në rastin më të mirë, vlejnë deri në deklaratën e ardhshme.Â

KOMENTE