Pothuajse pas çdo krize, Evropa është detyruar t'ia dorëzojë kryesimin SHBA-së. Gjatë luftës që shpërtheu pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Evropa ishte tejet e përçarë, derisa serbët po masakronin myslimanët në Bosnje. U desh intervenimi i SHBA-së për ta ndalur gjenocidin. Po ashtu, edhe sulmet e serbëve në Kosovë u ndalën nga amerikanët
Nga Irfan Husain* Kam qenë student në Paris, aty nga mesi i viteve të ‘50'ta, kur u nënshkruan disa prej marrëveshjeve të para për bashkimin e Evropës. Që nga ajo periudhë, unë kam kaluar një kohë të gjatë në Evropë dhe gjatë secilit udhëtim kam vërejtur dallime të nxitura nga procesi i bashkimit. Për shembull, sot në Francë shumë më tepër njerëz e flasin gjuhën angleze sesa në kohën kur kam studiuar atje. Një nga arsyet pse Britania iu bashkua me vonesë BE'së, dhe pse ende është e rezervuar në lidhje me disa aspekte të këtij eksperimenti, është se për shekuj me radhë Britania e ka konsideruar veten si të ndarë nga Evropa. Kur dikush nga Britania shkonte për vizitë atje, ai thoshte se "po e vizitonte kontinentin". Përkundër kanalit të ngushtë, i cili na ndan nga Evropa, distanca psikologjike është shumë më e madhe. Nga ana e tyre, as evropianët nuk ishin të kënaqur për shkak të ftesës për anëtarësim dërguar Britanisë. Gjenerali De Gaulle, udhëheqësi i pakontestuar i Francës në vitet 1960, insistonte se Britania do ta luante rolin e Kalit Amerikan të Trojës. Sidoqoftë, ne kemi harruar se ishte Winston Churchill ai i cili në vitin 1948 bëri thirrje për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës. Disa vjet më vonë, gjashtë shtete evropiane - Belgjika, Franca, Gjermania Perëndimore, Luksemburgu dhe Holanda - u pajtuan që ta themelojnë unionin për thëngjill dhe hekur. Nga ky fillim modest, në vitin 1958 hyri në fuqi Traktati i Romës. Gjërat përparuan në vitin 1968, me vendosjen e unionit doganor, i cili siguroi lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe të punëtorëve ndërmjet shteteve anëtare. Euroja u bë valutë e përbashkët në vitin 2002. Por, është Traktati i Lisbonës, nga 2007, ai i cili ka tash ka nxitur tensionim në Britani. Në kohën kur partitë e mëdha në Britani po zhvillojnë njëra pas tjetrës konferencat e tyre vjetore, çështja e marrëdhënieve të vendit me BE'në ka filluar të ngre sërish kokën. Me kërkesën për krijimin e presidencës, ky Traktat gjithashtu kërkon nga shtetet anëtare edhe një politikë të përbashkët të jashtme. Partia Konservatore e Britanisë tradicionalisht ka qenë e rezervuar ndaj Traktatit të Lisbonës dhe ka shpresuar se në referendumin e fundit irlandezët do t'i japin goditjen vdekjeprurëse këtij Traktati. Por, irlandezët votuan në favor të Traktatit, duke vendosur konservatorët në qendër të vëmendjes. Gjatë konferencës së kësaj partie, e cila u zhvillua në Manchester, anëtari veteran i partisë, Boris Johnson, kërkoi organizimin e një referendumi në Britani, duke minuar kështu politikën e kujdesshme të kryetarit të konservatorëve, David Cameronit, i cili ka tentuar ta minimizojë temën "Evropë", deri në zgjedhjet e ardhshme në Britani, të cilat pritet të zhvillohen vitin tjetër. Është e qartë se ka shumë njerëz në Britani të cilët nuk dëshirojnë që politika e jashtme të përcaktohet në Bruksel. Një prej arsyeve tjera, për shkak të së cilës konservatorët e kundërshtojnë integrimin e plotë në Evropë, është edhe mundësia që Tony Blair të emërohet Presidenti i parë i BE'së. Një nga shkaqet se pse evropianët kërkojnë një politikë të përbashkët të jashtme është se, përkundër fuqisë ekonomike të unionit, zëri i BE'së në botë është i dobët dhe i përçarë. Pothuajse pas çdo krize, Evropa është detyruar t'ia dorëzojë kryesimin SHBA'së. Gjatë luftës që shpërtheu pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Evropa ishte tejet e përçarë, derisa serbët po masakronin myslimanët në Bosnje. U desh intervenimi i SHBA'së për ta ndalur gjenocidin. Po ashtu, edhe sulmet e serbëve në Kosovë u ndalën nga amerikanët. Pra, edhe përkundër faktit se Traktati i Lisbonës me gjasë do të hyjë në fuqi, pasi që të ratifikohet nga ato pak shtete të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, mbetet dyshimi nëse BE'ja do të jetë në gjendje të integrojë politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes të shteteve të veta anëtare. Në përgjithësi, ekziston një mungesë e vullnetit për t'i dorëzuar edhe më shumë kompetenca eurokratëve në Bruksel. Sidoqoftë, Evropa ka kaluar një rrugë mjaft të gjatë prej kërkesës së Churchillit për formimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës. (*) "Dawn"