Tiranë, 9 tetor, NOA - Episodet e para të dhunës, të shfaqura që të ndeshjet e para të sezonit të ri futbollistik në vend kanë nisur të ndëshkohen ashpër nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Konkretisht, Komisioni i Disiplinës pranë këtij institucioni ka dënuar me tre vjet pezullim dhe 200 mijë lekë gjobë futbollistin e ekipit të "Sopotit", Shkëlqim Hajdari, për goditje me shkelma e grushte të arbitrit në ndeshjen "Sopoti - Elbasani".
Ndërsa vetë ekipi të cilit ai i përket, "Sopoti", është gjobitur nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së me shumën e 200 mijë lekëve, sikundër i janë zbritur edhe 3 pikë nga klasifikimi.
Ndërkaq, në vendimet e tij, Komisioni i Disiplinës ka ndëshkuar me gjoba 100 mijë lekëshe edhe tre ekipe atë të Laçit, Gramozit dhe Skënderbeut, për hedhje të sendeve të forta në fushë gjatë ndeshjes, duke shkaktuar amulli.
Tashmë, sporti shqiptar njihet për precedentët e tij të goditjes së arbitrave dhe sherreve mes tifozëve, por duket se këtë sezon futbollistik Federata Shqiptare e Futbollit paraqitet e vendosur për t'i ndëshkuar ato, në mënyrë që t'i parandalojë sa më shumë të jetë e mundur.
n.e/NOA
<Â