Tiranë, 9 Tetor NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i kërkoi sot kryeministri nëpërmjet mediave, që "të japë llogari pse nuk ua dha vizat shqiptarëve, siç gënjeu në 2005, dhe i stërgënjeu edhe në fushatën e 28 qershorit, duke na akuzuar ne që thonim të vërtetën, se nuk ka asnjë shans t'ua japë vizat, si njerëz që shpifnin, pasi vizat do të vinin menjëherë pas zgjedhjeve".
Këtu Rama shtroi pyetjen që i dha vetë përgjigjen: "Ku janë vizat? Ndërkohë që serbët, malazezët, maqedonasit do t'i marrin ato në 1 janar, duke marrë një herë e mirë të drejtën për të lëvizur lirisht pa viza, ndërsa ne jemi jo më të hapur, por edhe më të izoluar për shkak të Sali Berishës".
Rama vlerësoi se mos heqja e vizave vjen "për shkak të paaftësisë dhe të papërgjegjshmërisë së qeverisë së tij, të qeverisë së një familje të vetme që e ka mendjen vetëm tek prioritet e veta që nuk kanë të bëjnë me prioritet e shqiptarëve".
Ai theksoi edhe se "shqiptarët duhet që pas 1 janarit të plotësojnë të njëjtat kritere me të cilat hyjnë në BE dhe për të hyrë Mal të Zi e Maqedoni".
Në këtë pikë, Rama atakoi dhe Ilir Metën, kur kërkoi që "Sali Berisha të japë llogari për këtë dhe për shumë gjëra të tjera dhe jo t'i kërkojë llogari opozitës dhe jo të vazhdojë me vartësin e tij Ilir Metën apo të tjerët, të ushqejnë propagandë të ulët, të shëmtuar, të turpshme, duke thënë që opozita nuk do liberalizimin e vizave".
Ndërsa vleësoi se "opozita është këtu për të liberalizuar jo vetëm vizat, por edhe jetën e shqiptarëve", duke plotësuar se "nuk ka opozitë socialiste në Parlament për të mbuluar zullumet e Sali Berishës me votat e me të gjitha liritë, të drejtat e pasuritë e shqiptarëve, por do të ketë një opozitë të majtë e të djathtë, politike e qytetare, me parimin: pse të mos kemi liri e të drejta njësoj si në Evropë".
f.sh/NOA