Tiranë, 9 Tetor NOA - Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha i ka dërguar sonte një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Barack Obama për marrjen e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2009.
Në këtë mesazh, Kryeministri e vlerëson marrjen e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2009, "të merituar plotësisht për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm për konsolidimin e paqes e sigurisë globale, për një botë pa armë bërthamore dhe për promovimin e mirëkuptimit e bashkëpunimit ndërmjet popujve e kombeve anembanë globit".
"Përzgjedhja juaj si fitues i Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2009, - vijon mesazhi, - është një ngjarje e madhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjithë qytetarët e kombit tuaj të madh, të cilët kanë të drejtë të krenohen me Presidentin e 44-t të tyre dhe me përpjekjet e tij në shërbim të paqes, sigurisë e bashkëpunimit anembanë globit".
Por kjo përzgjedhje, - thekson Berisha, - është gjithashtu një ngjarje e shënuar për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, si edhe për të gjithë miqtë e dashamirësit tuaj dhe të kombit të madh amerikan anembanë botës, të cilët kanë gjetur tek ju mikun e tyre më të madh e më të shquar dhe te SHBA-të aleatin më të madh e strategjik në përpjekjet e përbashkëta për forcimin e lirisë dhe promovimin e paqes e sigurisë globale.
"Kam ndjekur me admirim vizionin tuaj gjithëpërfshirës dhe përpjekjet tuaja për të shuar konfliktet në zona të nxehta të globit, për të forcuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet shteteve e popujve të ndryshëm", - vijon mesazhi i Berishës për Obamën.
Në veçanti, - shton ai, - kam mbetur i impresionuar nga vizioni që ju shpalosët në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbajtur më 23 shtator në Nju Jork, ku u miratua me unanimitet rezoluta historike për çarmatimin bërthamor, ndaj ndihem shumë i lumtur t'ju uroj sot për këtë çmim të merituar si edhe për sukses në misionin dhe përpjekjet tuaja të mëtejshme për një botë ku sundon paqja dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve e kombeve.
f.sh/NOA
Â