English

Mbyllja e tunelit të autostradës Durrës-Kukës, nuk jepet asnjë afat për rihapjen e tij

Tiranë, 9 Tetor NOA Update - Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, doli sot për të shpjeguar mbylljen pa asnjë afat, të tunelit të Thirrës, në segmentin Rrëshen - Kalimash.

"Duke filluar nga ora 19.00 e ditës së diel, datë 11 Tetor 2009, tuneli i Thirrës, në segmentin Rrëshen - Kalimash, do të mbyllet", - tha para gazetarëve, ministri Olldashi.

Sipas tij, tuneli do të mbyllet me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar, për të cilën kontraktori po punon në vijimësi.

"Duke qenë se pushimet do të kryhen në të dy tubat, kalimi në segmentin Rreps - Kalimash do të jetë i pamundur, për një periudhë disa-javore", - ka shpjeguar z.Olldashi.

Rrjedhimisht, kalimi do të bëhet pjesërisht përmes aksit të vjetër rrugor, në drejtimin Morinë - Kukës - Shpal - Rreps - Rrëshen - Milot dhe anasjelltas.

Nga ana tjetër, u përpoq të sigurojë se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal - Kalimash.

Gjithsesi, ai nuk dha asnjë afat se kur do të rihapet tuneli i Thirrës.

Që nga dita e përurimit që dukshëm ishte elektoral, tuneli u mbyll disa herë.

Më e fundit, ndodhi më 21 shtator të këtij viti, kur përdoruesit e Autostradës Rrëshen-Kalimash u informuan se funksionimi i Tunelit të Thirrës do të ishte nga ora 07:00 deri në orën 19:00.

Argumenti i mbylljes së pjesshme ishte se punimet e Tunelit të Thirrës në këtë autostradë kanë hyrë në një fazë intensive me përforcime masive të strukturës së shkëmbit, të cilat sjellin nevojën e optimizimit të proceseve inxhinierike duke i dhënë më shumë kohë kontraktorit.

e.r/NOA

KOMENTE