Tiranë, 9 tetor NOA - Një grua është gjetur e plagosur me thikë në banesën e saj në kryeqytet dhe pas mbërritjes së policisë, rezultoi se autor i krimit ishte i shoqi.
Ngjarja ka ndodhur sot (e Premte) në orën 01.00 të mëngjesit në lagjen "Kombinat", në rrugën "Hamdi Cenoimeri", në banesën ku jetojnë çifti Lulëzim dhe Suzana M., përkatësisht 54 dhe 39 vjeç.
Burime në vendngjarje i thanë agjencisë së lajmeve NOA se forca policore shkuan në banesën e 39-vjeçares së dëmtuar e cila u dërgua në urgjencën spitalore.
E lënduara nuk paraqiste rrezik jete dhe pas mjekimit është rikthyer në banesë, thanë burimet në spital.
Ndërkohë policia e Komisariatit Nr.6, ka kryer hetimet e para dhe tha se ka identifikuar si autor të plagosjes me thikë të 39-vjeçares, ish-bashkëshortin e saj, Lulëzim M., 54 vjeç, banues në Tiranë. Policia tha se ende po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
e.r/NOA