English

Policia rrugore vazhdon aksionin, dje u gjobitën 1170 shoferë dhe 420 debitorë

Tiranë, 9 tetor NOA - Policia rrugore ka vazhduar edhe dje aksionin kundër shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit si dhe kundër debitorëve.

Kështu vetëm dje janë pezulluar për mos shlyerje të detyrime 423 leje qarkullimi të mjeteve dhe janë bllokuar 20 automjete, ndaj atyre drejtuesve të cilët nuk kanë shlyer detyrimet që rrjedhin nga kundravajtjet administrative. Pas shlyerjes së detyrimeve, 17 drejtues mjetesh ju dhanë automjetet ndërsa 3 automjete aktualisht ndodhen të bllokuara në Komisariatin e Policisë Rrugore deri në shlyerjen e detyrimeve të tyre. Ndërsa nga 423 leje qarkullimi të pezulluara, 252 drejtues mjetesh shlyen detyrimet e tyre ndërkohë që janë ende të pezulluara pranë kartotekës së Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë 171 leje qarkullimi. Nga shlyerja e detyrimeve që rrjedhin nga kundravajtjet administrative, u arkëtuan nga posta Shqiptare 1409 masa administrative të likuiduara nga drejtuesit e mjeteve. Ndërkohë shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta u ushtruan në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj.

Gjatë ditës së djeshme në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e Policisë vendosur 1172 gjoba me vlerë 1. 384 500 lekë ndërsa u pezulluan 5 leje drejtimi.

k.k/NOA

KOMENTE