English

Reagojnë botues e shkrimtarë shqiptarë: Ndalimi nga maqedonasit, i qëllimshëm

Tetovë, 9 tetor, NOA - Shkrimtarët dhe botuesit shqiptarë të cilëve iu ndalua libri shqip në vendkalimin kufitar të Qafë Thanës, e kanë konsideruar këtë si provokim të radhës që qeveria maqedonase i bënë kulturës shqiptare dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Shkrimtari i njohur Apostol Duka, autor i nëntë librave, për agjencinë e lajmeve INA thotë se ndalimi i librit shqip ishte një trill që nuk mundën dot ta zhbllokojnë as zëvendëskryeministri e ministrat shqiptarë.

"Nuk është çështje e trillit doganor, kjo është bërë me një urdhër madhor të cilin nuk mundën ta zhbllokojnë as zëvendëskryeministra e ministra shqiptarë. Kjo siç duket, është një luftë kombesh, racash, dikush dëshiron të tregojë gjoksin, por ne nuk kemi ardhur këtu për të treguar gjoksin, jemi artistë në moshë dhe e duam bashkëpunimin", theksoi Duka.

Ai thotë se është i shqetësuar dhe detyrohet të apelojë tek botuesit shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova që mos vijnë më në Maqedoni, për të marrë pjesë në evenimente të ndryshme artistike sepse mund të ballafaqohen me provokime nga më të ndryshmet. Shkrimtari Duka thekson se ndjehet i lodhur dhe rraskapitur nga kjo ngjarje. "Nuk ndihem mirë, më duhet të kthehem në shtëpi sepse edhe familja kanë dëgjuar përmes mjeteve të informimin dhe janë brengosur", deklaroi ai.

Botuesit shqiptarë nga Tirana theksojnë se ka vite që vijnë në Panairin e Tetovës, pa asnjë leverdi, duke iu nënshtruar procedurave doganore dhe pagesës së taksës prej 5 për qind doganë për çdo libër.

"Ne vijmë këtu për vëllezërit tanë dhe të ofrojmë librin, pa parë interesat. Por nga ana tjetër, i bëjmë me dije këtyre se libri nuk është mall", kanë theksuar botuesit shqiptarë. Edhe shkrimtarja e njohur, Violeta Allmuçaj, autore e tetë librave deklaroi për INA se ky rast ishte provokimi i dytë i radhës i maqedonasve ndaj letërsisë shqipe dhe shqiptarëve në përgjithësi. "Europarlamentarë dhe liderë botërorë kanë vlerësuar veprat e mia, po çfarë kanë këta maqedonasit, pse gjithë këtë urrejtjen ndaj nesh?!. Â Në rastin e fundit Jelko Kacin kërkoi t'i përktheja pjesë nga veprimtaria e ime dhe u mahnit nga arti shqiptar. Kacin nuk më vlerësoi mua, por vlerësoi letërsinë shqiptare. Kurse cila është trajtimi i maqedonasve. E revoltuar ua lash librat në kufi. Merreni i thashë i keni falas", thotë Allmuçaj, duke njoftuar se do të alarmojë këtë situatë.

Botuesit shqiptarë ishin nisur për të marrë pjesë në Panairin e librit shqip në Tetovë, duke pësuar probleme në kufi.

NOA-INA

KOMENTE