English

Aktori Xhejms Belushi merr pasaportën shqiptare. Presidenti Topi i jep dekretin

Tiranë, 10 tetor, NOA - Presidenti Bamir Topi i dorëzoi Xhejms Belushit, aktorit holliudian me famë botërore dhe me origjinë shqiptare, dekretin nr. 6274, firmosur në datë 5 tetor 2009 për marrjen e shtetësisë shqiptare.

Gjatë një ceremonie të organizuar me këtë rast në një mbrëmje gala', ku ishin të pranishëm drejtuesit e Kompanisë "Eagle Mobile", deputetë, përfaqësues të qeverisë e të bashkësive fetare, personalitete të larta të artit dhe të kulturës shqiptare si dhe përfaqësues të medias, kreu i shtetit shqiptar u shpreh se nuk e kishte parë ndonjëherë kaq të emocionuar zotin Belushi.

"Një vit më parë, ai natyrisht pa e kërkuar vetë, mori titullin e lartë ‘Nderi i Kombit'. Një njeri kaq i madh sa Xhejms Belushi kurrë nuk mund të kërkojë vlerësim apo auto-vlerësim. Kështu që e vlerësuam ne. Më takoi mua në atë pozicion që ta bëja atë gjë, por mund të ishte cilido. E vlerësoi i gjithë populli, miqtë e tij artistë, miq e tij të thjeshtë dhe natyrisht që e nderojnë të gjithë spektatorët botërorë. Por për ne ishte një vlerësim tepër i veçantë, sepse gjithmonë kishim parë te Xhejms Belushi atë lloj emocioni kur thonte: ‘Unë jam shqiptar'. Prandaj ne krenohemi me të, edhe sot pas një viti, ju jeni krenaria e kombit tonë", i është drejtuar ai aktorit me origjinë shqiptare.

Presidenti vuri në dukje sesi "në këtë botë globale ka njerëz që e lënë nënshtetësinë shqiptare, por ka edhe njerëz që e kërkojnë nënshtetësinë dhe se kjo e shoqëron me një gëzim, me një gëzim të pamasë. Ndërsa Belushi, në fjalën e tij përshëndetëse dhe falenderuese u shpreh mes të tjerash se ishte i lumtur që ndodhej në Shqipëri.

"Gjithmonë e them që unë jam shqiptar, por sot jam me të vërtetë shqiptar! Jam shumë i lumtur për këtë gjë! Sa herë që takohem me Presidentin e Republikës, ai gjithmonë më nderon me ndonjë dhuratë shumë të bukur nga ky vend i mrekullueshëm. Sonte më është rezervuar një dhuratë tepër e veçantë dhe tani që jam zyrtarisht shqiptar, dhe ajo që e bën zyrtare nuk është thjesht kjo ceremoni, por këtë vit do të paguaj edhe taksat këtu", tha ai.

n.e/NOA

KOMENTE