Gjenerata të tëra shqiptarësh i janë përgjigjur thirrjes për liri. Sot, në shekullin e ri, kjo është thirrja e gjeneratës tonë. Këto nuk ishin një palë zgjedhje kur ca humbën e ca fituan. Nuk fituan asgjë ata të djathtë që sot po largohen nga puna padrejtësisht sepse duhet të flijohen për koalicionin
Nga Erion Veliaj
Kryetar i G99*
Unë ju falënderoj që keni ardhur nga çdo cep i Shqipërisë për të qenë me ne sot. Tropojanë e Gjirokastritë, Shkodranë e Beratas, të majtë e të djathtë, të rinj e të moçëm, jam I bindur se nuk jeni këtu sot për të parë kryetarët e partive tuaja.  Diçka më e fortë se kaq na ka mbledhur këtu. Jeni këtu sepse besoni tek potenciali i parealizuar i këtij vendi, jeni këtu sepse besoni tek puna e ndershme, pasioni për ndryshim, dashuria për familjen, dhe etja për të pasur një qeverisje që gjithashtu i mishëron këto vlera.
Kemi ardhur për të kundërshtuar politikën e cinikëve të cilët na thonë, mbyllni gojën e mos flisni kur ju vjedhim, mbyllni veshët e mos dëgjoni kur ju fyejmë, mbyllni sytë e mos shikoni kur ju hedhim në erë, mbyllni mendjen e mos ëndërroni se si mund të bëhej më i mirë ky vend, e së fundi - mbyllni dhe zemrën që të mos ua ndjejë për veten, për fqinjin dhe për gjithë Shqipërinë.
Historia e kësaj toke na ka mësuar se lirinë gjithnjë na është dashur ta fitojmë dhe se një grusht shqiptarësh të vendosur ka ditur të reagojë në çdo kohë. Një grusht shqiptarësh në Krujë gjunjëzuan ushtrinë e perandorisë më të madhe të kohës. Një grusht shqiptarësh në Durrës i rezistuan fashizmit që në orën e parë. Një grusht  shqiptarësh studentë mposhtën diktaturën më të egër të Europës. E sot, një grusht i madh shqiptarësh të mirë, kthehet sërish tek Dëshmorët e Kombit për t'i rezistuar despotëve të rinj të zgjedhjeve të pandershme.
Gjenerata të tëra shqiptarësh i janë përgjigjur thirrjes për liri. Sot, në shekullin e ri, kjo është thirrja e gjeneratës tonë. Këto nuk ishin një palë zgjedhje kur ca humbën e ca fituan. Nuk fituan asgjë ata të djathtë që sot po largohen nga puna padrejtësisht sepse duhet të flijohen për koalicionin. Nuk fituan asgjë ata të majtë që siç thosh sot në gazetë ajo familje në Gërdec "votuam Metën dhe ua çoi votën vrasësve të fëmijëve tanë". E sigurisht, nuk fitoi shumica e shqiptarëve që qartësisht votoi ndryshimin në 28 Qershor. Këto ishin një palë zgjedhje ku fati I 2 milionë familjeve ju nënshtrua pazarit të 2 familjeve ekonomike Berisha-Meta me moton ‘të humbasin 2 milionë, që të fitojnë vetëm 2'.
Por, ka një gjë që s'e kemi humbur. Nuk kemi humbur njeri-tjetrin! Sot më shumë se kurrë na lipset jo vetëm të qëndrojmë për transparencën, por të tregohemi dyfish solidarë me njëri tjetrin. Gjeni dikë që ka humbur punën prej fushatës apo pazareve pas, të majtë a të djathtë qofshin, e jepuni një dorë të mbijetojnë. Jepini një dorë studentëve si ai i Fierit, i cili humbi shkollën se mbrojti votën, që të mund të kryejnë një shkollë përtej atyre ku rektorët e dekanët e pushtetit jua mohojnë. Blini në dyqanet që po gjobiten sepse denjuan të na tregonin listat e borxheve. Ju ftoj të  tregojmë se përtej reprezaljeve të pushtetit, ekziston një solidaritet i pashembullt qytetar të cilin nuk ka despot që të mund ta thyejë.
Ky tubim nuk fillon vetëm një lumë protestash, por dhe një fushatë solidariteti me të gjithë ata që kanë nevojë për dorën tonë.
Kërkesat tona janë të thjeshta, të arsyeshme e ligjore.
Kutitë duhet të hapen! Nuk janë as kuti këpucësh e as kuti shkrepësesh që të përdoren e të hidhen. As nuk janë kuti të zeza avionësh që mbajnë sekretet e vdekjes. Janë kuti që ruhen, sepse duhen. Në të kundërt pse nuk digjen që ditën e parë. Ligji lejon qartësisht rinumërimin. Në se nuk hapen, kjo qeveri - si dhe ato të despotëve në botë - vërteton atë që kemi thënë, se ka fobi nga transparenca dhe se në thelb ky është një pushtet ilegjitim.
TVSH, në formën e sotme, duhet të mbyllet. Pse duhet të paguajnë qytetarët taksa e të mbajnë një Gëbels-TV për agjitacionin e propagandën e Berishës e Metës? Pse duhet që transmetimi i notit të Berishës apo capitja në shkallët e murit kinez duhet të sponsorizohet nga shqiptarët e varfër? Si ka mundësi që shqiptarët paguajnë një televizion që bën opozitën e opozitës a thua se jetojnë në Bjellorusi e se nuk mjaftojnë mediat private dhe honorarët e analistëve që tashmë administron Berisha-Meta? TVSH-ja do të jetë fronti i ri i protestave tona dhe kutia e televizionit publik meriton po aq transparence sa kutia e votimit.
Së fundi, shteti ynë nuk mund të garojë në zgjedhje, zgjedhjet janë për partitë. Rektorët e kanë vendin në universitet, të burgosurit në burgje, edukatoret në kopshte dhe doganierët në kufi. Mjafton të kaloni nga Kamza, e të kuptoni sesi qytetet tona trajtohen si seli të PD-së, për të kuptuar se si po gjunjëzohet ‘polisi' përpara mercenarëve të partisë shtet.
Sot kemi një mundësi, për të bërë histori.  Presidenti Wilson inkurajonte duke thënë se ‘Historia e lirisë është historia e rezistencës'.  Beteja jonë do të jetë e gjatë, por mbani mend se sado pengesa të kemi përpara, asgjë s'mund ta ndalë fuqinë e qindra-mijëra njerëzve që i rezistojnë padrejtësisë. Kemi mundësinë historike të tregojmë se si Europianë të vërtetë, ne e marrim seriozisht demokracinë. Injoroni cinikët e skeptikët që thonë se nuk ja vlen të luftojmë, se nuk ja vlen të rezistojmë, se ky vend nuk bëhet e se jemi të destinuar të qeverisemi nga pazaret e bosëve të politikës. Sot, mijëra prej jush dëshmuat se keni kurajë për të bërë histori! Çojeni këtë kurajë në gjithë qytetet e rrugët teksa ktheheni, u tregoni se ne biem e ngrihemi serish bashke, e u thoni të gjithëve, se sot, në 10 Tetor 2009, filloi ora e rezistencës qytetare!
(*) Fjala e mbajtur në mitingun e PS/ Foto: Veliaj në miting, NOA/LSA