English

Biznesmeni nga Lazarati përplaset me policin për internetin, u gris uniformën blu

Gjirokastër, 10 Tetor NOA - Një pikë internet-kafe e cila ishte e hapur në orët e vona të mbrëmjes, ka qenë pikënisja e një konflikti të lindur mes pronarit të saj dhe policisë që nxitonte ta mbyllte se s'kishte leje nga bashkia për ta mbajtur hapur deri vonë.

Ngjarja ka ndodhur në orën 23.00 të mbrëmjes së djeshme kurse mëngjesin e sotëm në orën 04.00, specialistët për Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër thanë se është bërë arrestimi në flagrancë i 25-vjeçarit F. Derxho, lindur dhe banues në Lazarat Gjirokastër.

Burime zyrtare të policisë vendore i thanë korrespondentes së agjencisë NOA se arrestimi i të riut u bë pasi mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23.30 , Grupi i Gatshëm i Policisë së Rendit ka shkuar për të mbyllur lokalin "Internet Kafe', në pronësi të Derxhos.

Lokali, ndodhet pranë stadiumit në qendër të qytetit Gjirokastër në lagjen "18 Shtatori".

Punonjësit e policisë i kanë kërkuar pronarit që të mbyllte lokalin pasi ora kishte kaluar nga 23.00 dhe ai nuk kishte leje nga Bashkia për mbajtjen e lokalit hapur mbas kësaj ore.

Sipas denoncimit, i riu Derxho i ka kundërshtuar me fjalë dhe më pas me dhunë forcat e policisë duke goditur me grushte policët.

"Kulmi arriti kur 25-vjeçari ka grisur bluzën e policisë (uniformën), e njërit prej punonjësve të grupit të gatshëm", - theksoi policia.

Ajo shtoi se ndodhur në këto kushte punonjësit e policisë e kanë shoqëruar forcërisht për në Komisariatin e Policisë Gjirokastër.

Pas dërgimit në polici, sot në orën 04.00, ndaj të riut lazaratas u dha arresti në flagrancë për veprën penale "Kundërshtim të Punonjësit të Policisë të Rendit Publik".

Duke komentuar ngjarjen në qendër të qytetit, me protagonist të riun nga Lazarati, në një komunikatë që lëshoi sot, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër deklaroi se "është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë për të gjithë banorët e komunitetit dhe nuk do të tolerojë asnjë rast të cënimit të sigurisë dhe qetësisë së qytetarëve, duke çuar para drejtësisë cilindo që do të shkelë ligjin".

/v.d/f.sh/NOA/

KOMENTE