English

Fondacioni Vodafone Albania përmbush për të dytin vit radhazi misionin e rëndësishëm sportiv

Fondacioni Vodafone Albania përmbush për të dytin vit radhazi misionin e rëndësishëm sportiv

Tiranë, 10 tetor NOA - Pas tre ditësh të mbushura me sport, emocione, dhe aktivitete të panumërta u mbyll edhe për këtë vit edicioni i dytë i Lojërave Olimpike Speciale 2009.

Aktiviteti i rëndësishëm sportiv përfundoi pasdreken e sotme me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për atletët dhe skuadrat fituese në të cilin morën pjesë shumë personalitete të njohur si Liri Berisha dhe Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri Fiona McIlwham.

Nën mbështetën dhe kujdesin e veçantë të Fondacionit Vodafone Albania dhe bashkëpunimit të kësaj të fundit me Olimpikun Special Shqiptar, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, Qendrën Sociale "Don Bosco" si dhe të një numri të madh vullnetarësh u arrit që edhe për këtë vit, ata për të cilët organizohej ky aktivitet të ishin në qendër të vëmendjes duke i mahnitur të gjithë me entuziazmin, energjinë dhe pasionin e madh për jetën.

Qëllimi kryesor i Lojërave, edhe për këtë vit ishte aktivizimi, integrimi në shoqëri, thyerja e pengesave të komunikimit si dhe ndërgjegjësimi dhe mbështetja e shoqërisë, institucioneve dhe individëve të ndjeshëm ndaj individëve me aftësi speciale.

Nga të ftuarit u prononcua edhe Liri Berisha e cila ndër të tjera falënderoi Fondacionin Vodafone Albania për punën dhe përkushtimin e dhënë, si dhe përgëzoi të gjithë atletët për pjesëmarrjen dhe aktivizimin e tyre.

Në Lojërat Olimpike Speciale të këtij viti, (më shumë foto gjeni, te Galeria)

 morën pjesë 250 atletë të organizuar në 12 skuadra. Lojërat u zhvilluan në 6 disiplina sportive: basketboll, futboll, atletikë, ping-pong, bowling dhe not.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve u evidentuan mjaft talente të reja të cilët u vlerësuan me kupa dhe çertifikata.

Për sa i përket skuadrave ato të cilat u vlerësuan me më shumë kupa dhe çmime ishin Elbasani, Tirana, Shkodra dhe Durrësi.

Ndërsa me çmime speciale për përkushtimin, korrektësinë dhe disiplinën u vlerësuan skuadrat e Elbasanit, Beratit dhe Pogradecit.

Fondacioni Vodafone Albania vlerëson se "mund të krenohet me faktin se mundësoi që si krerët më të lartë të shtetit ashtu edhe njerëzit e thjeshtë të përballen më realitetin e kësaj pjese të shoqërisë, të flasin për të e të bëjnë të mundur kësisoj, paçka se gradualisht, integrimin në shoqëri të njerëzve me aftësi speciale, të cilët më tepër se çdo gjë tjetër kanë nevojë për mirëkuptimin, tolerancën dhe miqësinë tonë".

a.k.f.sh/NOA

KOMENTE