English

James Belushi, është imazhi i ri i Eagle Mobile

Tiranë, 10 tetor NOA - Artisti i madh Shqiptaro-Amerikan James Belushi (Xhejms Belushi) do të jetë imazhi i kompanisë më të re të telefonisë celulare Eagle Mobile.

Marrëveshja u bë publike në një konference për shtyp ku morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile Ali Taskin, aktori dhe këngëtari James Belushi, Zonja e Parë Teuta Topi, regjisori i njohur turk Mete Ozok, dhe përfaqësuesi i kompanisë Balkan Resources Claude Schimper (Klod Shimper).

Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile tha se bashkëpunimi me Xhejms Belushin do të jetë padyshim mjaft i frytshëm, dhe e falënderoi atë për kontributin në promovimin e Eagle Mobile, kësaj marke shqiptare që mban dhe emrin e simbolit të Shqipërisë, shqiponjën.

"Jemi shumë të kënaqur që të presim Xhejmsin në familjen e madhe të Eagle Mobile që shënon tashmë më se gjysmë milioni anëtarë" tha Taskin në fjalën e tij.

Gjithashtu ai vlerësoi punën dhe mbështetjen që Zonja a Parë ka dhënë në kuadër të përgjegjësisë sociale të kompanisë Eagle Mobile dhe kompanive të tjera që u bënë pjesë e nismës së kësaj kompanie.

Ndërsa aktori Shqiptaro-Amerikan Xhejms Belushi u shpreh mjaft i kënaqur për nisjen e një bashkëpunimi të tillë me kompaninë Eagle Mobile.

"Jam shumë i lumtur që do të bëj xhirime në shumë vise të bukura të Shqipërisë së mrekullueshme. Gjithashtu jam i lumtur që bashkëpunoj dhe mbështes këtë kompani të re dhe të fuqishme. Mendoj se Eagle po bën një punë të mirë edhe për përgjegjësinë sociale" tha Belushi.

Ai shprehu veçanërisht kënaqësinë për nismat sociale që kjo kompani ka ndërmarrë që në ditët e para të saj. Belushi ka prezantuar para gazetarëve një nismë të re të kompanisë celulare në ndihmë të fëmijëve në nevojë. Ai është bërë personi i parë që ka dërguar SMS-në e parë me anë të numrit të tij Eagle në ndihmë të këtyre fëmijëve në numrin 15177. Belushi ftoi të gjithë shoqërinë shqiptare që të mbështesin këtë nismë të re sociale, duke kontribuar për këtë shtresë që ka nevojë për përkujdesjen e të gjithëve. Çdo SMS që do të shkojë në ndihmë të fëmijëve do të kushtojë 120 Lekë me TVSH dhe kjo fushatë do të zgjasë deri në fund të këtij viti.

E pranishme në konferencën për gazetarët, Zonja e Parë Teuta Topi, theksoi se të gjithë duhet të angazhohen në projekte të tilla sociale për të ndihmuar fëmijët në nevojë. Ajo tha se ky është një shembull që duhet ndjekur edhe nga kompani të tjera, duke garantuar mbështetjen e saj të plotë në këtë drejtim.

Topi i dorëzon aktorit hollivudian nënshtetësinë shqiptare

Një tjetër surprizë e ka pritur aktorin shqiptaro-amerikan Xhejms Belushi në orën e mbrëmjes, ku gjatë një darke Gala të organizuar nga Eagle Mobile, Presidenti i Republikës Z. Bamir Topi i ka dorëzuar dokumentin e nënshtetësisë shqiptare.

Çastet mjaft emocionuese Belushi i ka ndarë me mbi 200 personalitete të ftuar; anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve të ndryshme publike, artit, medias, biznesit, institucioneve universitare dhe arsimore etj.

"Është një nder për ne që kemi mes nesh Presidentin e Republikës, është një kënaqësi që bashkëpunëtori ynë më i ri Xhejms Belushi merr sot nënshtetësinë shqiptare" tha Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile Ali Taskin në fjalën e tij përshëndetëse.

"Nuk e kam parë kurrë z. Belushi kaq të emocionuar sa sonte. Ne nuk i japim asnjërit nënshtetësi shqiptare pa e kërkuar atë, dhe Xhejms ka qenë një ndër të parët që e ka bërë këtë," është shprehur Presidenti Topi gjatë dorëzimit të dekretit presidencial.

Ndërsa Belushi mes emocionesh që tha se në jetën e tij i përjeton për herë të parë, shtoi se personalitetet shqiptare në çdo vizitë të tij i kanë dhuruar diçka të vyer, por dokumenti i nënshtetësisë ishte më e vyera dhe më emocionuesja prej tyre. Ai nuk ka harruar të tregojë anën e tij humoristike duke thënë që tashmë do të niste të paguante edhe taksa për Shqipërinë pas dhënies së kësaj shtetësie.

Belushi, koncert te "Nënë Tereza"

Artdashësit dhe të pasionuarit ë muzikës do të kenë mundësi ta njohin ndryshe Xhejms Belushin. Ai do të zbresë në Sheshin "Nënë Tereza" të dielën në mbrëmje në orën 20.00 për të kënduar së bashku me ta. Belushi do të jetë i shoqëruar nga banda e tij dhe do të qëndrojë në skenë për më se 90 minuta. Ky koncert mbështetet nga Eagle Mobile si organizator dhe sponsor i përgjithshëm do të jetë i hapur për të gjithë artdashësit shqiptarë pa pagesë.

e.r/NOA

Â

Â

KOMENTE