Tiranë, 10 tetor NOA - Me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, nga data 11-14 tetor 2009, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri, Kryetari i Senatit të Kanadasë, z.Noel Kinsella.
Kjo vizitë e tij shënon vizitën e parë të një Kryetari të Senatit kanadez në Tiranë.
Selia informative e Kuvendit tha sot se vizita konsiderohet shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh jo vetëm partneritetin në NATO por edhe faktin se Kanadaja është shteti i dytë më i madh në botë pas Rusisë.
Vizita e Kryetarit Kinsella pason vizitën zyrtare të Kryetares së Kuvendit të Jozefina Topalli, në tetor të vitit 2007 në Kanada.
Mësohet se ditën e hënë, më 12 tetor 2009, në orën 10:00 Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryetari i Senatit të Kanadasë, z.Noel Kinsella do të zhvillojnë një bisedë dypalëshe kokë më kokë mes tyre.
Pas takimit mes delegacioneve kanadeze dhe shqiptare, dy homologët do të nënshkruajnë një marrëveshje për nxitjen e bashkëpunimit si dhe do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë, Kryetari i Senatit të Kanadasë z.Noel Kinsella do të takojë drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, përfaqësues të qeverisë, biznesit si dhe drejtues të Komunitetit Fetar.
Kryetari i Senatit të Kanadasë z.Noel Kinsella është një nga figurat kryesore të politikës kanadeze i cili është në Senat që prej vitit 1990, ndërsa ka shërbyer si nënsekretar shteti i Kanadasë. Ai është Kryetar i Senatit kanadez që prej vitit 2006.
Kinsella numëron mbi 40 vjet në karrierën e tij si profesor në filozofi, psikologji dhe të drejtat e njeriut. Dr. Kinsela, një Kapiten Nderi në Forcat kanadeze (marinë), mban edhe titujt e nderit, Doktor në shkencat Filozofike dhe Doktor në shkencat juridike.
Kinsella prej 22 vitesh, që prej vitit 1967 ka shërbyer si President i Fondacionit kanadez për të drejtat e njeriut.
Marrëdhëniet diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë janë vendosur më 10 shtator 1987, ndërsa kanë pësuar një rritje të konsiderueshme dhe dinamike vitet e fundit.
Kanadaja, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në NATO, duke qenë një nga mbështetësit kryesorë dhe ndër vendet e para që ratifikoi protokollin e pranimit në NATO.
Hapja e Ambasadës së Shqipërisë në Otavë i dha një impuls të ri forcimit të marrëdhënieve, midis dy vendeve tona edhe për shkak të zgjerimit të emigracionit shqiptar në Kanada.
Niveli i bashkëpunimit me Kanadanë në fushën ekonomike ka patur një dinamikë shumë pozitive.
Fokusi në marrëdhëniet dypalëshe ekonomike ka qenë për gjetjen e mundësive për thithjen e investimeve kanadeze në Shqipëri.
Privatizimi i sektorëve strategjike në Shqipëri ka ngjallur interes ndër kompanitë kanadeze si p.sh. Rogers, Petrol Canada etj.
Me mjaft interes është konsideruar bashkëpunimi në sektorin e telekomunikacioneve, bankave dhe naftës. Sektorët të cilët për Kanadanë ofrojnë mundësi të mëdha janë gazi dhe nafta, energjia dhe ndërtimi, infrastruktura, ndërkohë që tregtia midis dy vendeve tona është në një tendencë zhvillimi dhe zgjerimi.
Në fushën ekonomike, kompani kanadeze kanë shprehur interes për investime në minerale, turizëm, "real estate", industrinë e çimentos, ndërtimit dhe hidroenergjetikës.
Në kuadrin e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Kanadaja është mbështetëse e rëndësishme e iniciativave të ndryshme, të cilat janë një bazë e fortë për të intensifikuar shkëmbimet kulturore.
Vëmendja e Kanadasë në kontaktet me vendin tonë, përveç aspektit dypalësh, është e përqendruar edhe në drejtim të zhvillimeve rajonale dhe rolit të Shqipërisë në këtë rajon.
f.sh/NOA