Marrja e çmimit Nobel për Paqe nga presidenti amerikan, përveç urimeve ka shtuar kritikat. Ekspertët pranojnë se çmimi mund të ketë "pasoja të çuditshme" mbi presidentin amerikan
Nga Andrew Tully
Për këdo marrja e çmimit Nobel për Paqe do të ishte një vlerësim i madh. Për presidentin amerikan, Barak Obama, duket se çmimi nuk vjen vetëm me ngjyra fitoreje. Vetë Obama e pranon se ka qenë president për një kohë shumë të shkurtër që ta justifikonte marrjen e çmimit Nobel.
"Të jem i ndershëm, nuk besoj se e meritoj të jem pjesë e aq shumë figurave transformuese që janë nderuar me këtë çmim", thotë Obama nga Shtëpia e Bardhë. Për ironi, edhe kreu i Komitetit Kombëtar Republikan, Majkëll Still, ndan të njëjtin mendim me Obamën. Still thekson, jo pa sarkazëm, se Obama është vlerësuar për të ashtuquajturën fuqi e tij prej ylli, çfarë ka lënë në hije punën e paqe-bërësve të vërtetë. Në kuadër të kritikave, profesori i historisë amerikane, Alen Lihtman, thotë se një vlerësim i tillë do të ishte, para së gjithash, sfidë për çdo president që ka kaq pak kohë në detyrë. Lihtman shton se të dy presidentët amerikanë, të nderuar me çmimin Nobel për Paqe në të shkuarën, kishin bërë vepra konkrete. Teodor Rusvelti mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1906, pas ndërmjetësimit që i dha fund luftës ruso-japoneze. Presidenti Uillson e fitoi çmimin në vitin 1919, për përpjekjet e tij për paqebërjen gjatë Luftës së Parë Botërore. "Kur çmimi u është dhënë në të shkuarën presidentëve amerikanë në detyrë, ata kishin përmbushur një pjesë të mirë të mandatit të tyre. Nuk jam i sigurt nëse është ide e mirë dhënia e çmimit një presidenti, që është në fillim të mandatit". "Në rastin e Rusveltit apo Uillsonit ata janë nderuar me Nobelin për Paqe pas gjashtë apo shtatë vjetësh në detyrë. Mendoj se një çmim i tillë e vë një president nën presion shumë të madh. Nga ana tjetër, në këtë fazë të presidencës nuk kemi shumë arritje, arritje të dukshme", thotë profesori Lihtman për Radion Evropa e Lirë.Â
Më tej, Lihtman shton se kundërshtarët politikë të presidentit Obama mund të ankohen se çmimi ndikon në politikat e jashtme të Obamës, përfshirë dhe vendimin mbi shtimin apo jo të trupave amerikane në Afganistan. "Besoj se do të dëgjoni edhe më shumë kritika nga e djathta, se ky çmim është një përpjekje nga jashtë për të ndikuar në politikën e jashtme amerikane. E, natyrisht, çmimi vjen në një moment shumë interesant, kur Obama duhet të marrë vendime të mëdha rreth Afganistanit". "Marrja e çmimit Nobel për Paqe në këtë kohë mund të jetë fare mirë një faktor që ndikon në vendimin e presidentit. Vlerësimi është një nder i jashtëzakonshëm, por edhe një kokëçarje për Obamën", pohon Lihtman. Por, Stefen Hes, i specializuar në politikat qeverisëse në Institutin Brukings (Brookings Institute) në Uashington, nuk beson se çmimi Nobel do të ndikojë në vendimmarrjen e Obamës në çështjet që lidhen me politikën e jashtme. "Unë e quaj Komiteti i nxitjes së shpresës. Ata shpresojnë që presidenti do të ketë ndikim në zhvillimet globale, bazuar në pritshmërinë që ekziston ndaj tij në botë. Kjo ka të bëjë me ndryshimet në qasje që lidhen me diplomacinë shumëpalëshe, duke vënë më shumë theksin tek OKB-ja, apo në bisedimet me udhëheqësit botërorë, pavarësisht mosmarrëveshjeve të thella që ekzistojnë", thotë Hes. Megjithatë, Hes pranon se çmimi mund të ketë "pasoja të çuditshme për Obamën", veçanërisht me rritjen e shpresave të pabazuara për paqe në botë. "Nuk mendoj se çmimi do të ketë ndikim mbi Obamën, ashtu siç nuk mendoj se është presion shtesë mbi të. Të qenët president i Shteteve të Bashkuara është presion i mjaftueshëm. Është, gjithashtu, i vërtetë fakti se kundërshtarët do ta përdorin çmimin Nobel kundër Obamës", thekson Hes. Më tej, ai shton se në ndonjë vend tjetër dita e dhënies së Nobelit për presidentin, do të ishte kthyer në festë. Në Shtetet e Bashkuara ndodh e kundërta, amerikanët shohin dhe presin që presidenti t'i kthehet punës.
Marrë nga RFE