Tiranë, 10 tetor NOA- Shqetësimet dhe ankesat e përsëritura të banorëve të kryeqytetit për zhurmat e larta të muzikës natën, kanë vënë në lëvizje policinë bashkiake të kryeqytetit e cila mbrëmë në bashkëpunim me agjencinë rajonale të mjedisit dhe drejtorinë e tatim-taksave në bashki, kanë mbyllur aktivitetin e 12 lokaleve të natës.
Aksioni është shtrirë në të gjithë kryeqytetin, brenda dhe jashtë Unazës, por kryesisht në zonën e ish-Bllokut, si një zonë mjaft e frekuentuar në orët e vona të natës dhe ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit.
Qëllimi i këtij aksioni nga Policia Bashkiake e kryeqytetit dhe strukturat që e mbështesin ishte mbyllja e aktivitetit pas orës 23.00 e mbrëmjes e lokaleve të cilat rezultuan pa dokumentacion të rregullt dhe që shkaktojnë zhurma, duke ndikuar kështu negativisht në qetësinë e qytetarëve.
Policia ka nxjerrë jashtë të rinjtë ndërsa pronarëve u janë shpërndarë udhëzimet për nivelin e zhurmave brenda normës që lokalet duhet të kenë.
Nga ana e policisë është kërkuar që çdo biznes i këtij lloji duhet të jetë i pajisur dhe me lejen mjedisore.
Aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim madje ajo do të shtrihet dhe në qytete të tjera të vendit.
m.i/NOA