English

Ndërtuesit: Pse mbi 4 mijë apartamente, na kanë mbetur të pashitura

Tiranë, 10 tetor NOA - Sektori i ndërtimit është prekur rëndë nga efektet e krizës ekonomike. Rreth 700 kompani ndërtimi nga 2 500 të regjistruara rezultojnë me zero lekë xhiro për vitin 2008.

Ky fakt tregon për një tkurrje të aktivitetit ekonomik, të cilit po t'i shtojmë edhe rënien e fuqisë blerëse vështirëson më tej këtë sektor,duke pezulluar edhe shitjet e apartamenteve.

Nëndrejtori i Shoqatës së Ndërtuese Ilir Hebovija duke folur sot me agjencinë e lajmeve NOA tha se, si pasojë e moskreditimit të ekonomisë dhe uljes së remitancave, të cilat janë dy burimet kryesore të blerjes së banesave, shitjet kanë rënë në mënyrë të ndjeshme. Sipas vlerësimeve është mbi 4 mijë numri i apartamenteve të pashitura.

Problemi më i madh në këtë sektor mbetet mungesa e likuiditeteve dhe burimet e financimit. Bankat vazhdojnë të hezitojnë kreditimin e biznesit.

Nga ana tjetër, edhe ato kredi që jepen kanë interesa të papërballueshme për konsumatorët.

Ndaj ndërtuesit i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë për të përballuar këto efekte.

Maksim Muçi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve thotë për agjencinë NOA se, çdo euforizëm i qeverisë në këtë situatë duket i pakuptimtë.

"Prioritet konsiderojmë sidomos forcimin e kontrollit publik mbi bankat me qëllim që ato të vazhdojnë të zbatojnë si duhet misionin e tyre të financimit të ekonomisë", - shprehet Muçi.

Ndërsa kërkesat direkte që ndërtuesit i bëjnë qeverisë janë: Krijimi i një vizioni të qëndrueshëm për zhvillimin e ndërtimit, ulja e TVSH-së për banesat si dhe realizimi në kohë i pagesave nga sektori publik.

Javën e parë të tetorit ndërtuesit ia kushtojnë punës së tyre. Ata bëjnë apel për më shumë standarde. Shoqëritë e ndërtimit qarkullojnë rreth 1.5 miliardë euro në vit.

r.l/e.r/NOA

KOMENTE