English

Opera "Madamë Baterflai" në SHBA, solistja shqiptare Ermonela Jaho në rolin kryesor

Filadelfia, 10 Tetor NOA - Në sallën e Teatrit të Operës së Filadelfias, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njëra nga më të dëgjuarat në botë, u shfaq me sukses të jashtëzakonshëm Opera Madamë Baterflai e Xhiakomo Puçinit, informon për agjencinë NOA, Instituti Kombëtar i Diasporës.

Kjo opera e cila ka pushtuar skenat më të mëdha në botë që kur u shfaq për herë të parë në vitin 1904, u vu nën regjinë e Cinthia Stoke dhe dirigjentit të madh italian Corrado Rovaris me një nga trupat më të zgjedhura operistike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ngjarje të tilla artistike konsiderohen të rëndësishme nëpër qytete të mëdha siç është Filadelfia, e njohur për Orkestrën e saj Filarmonike dhe jetën intensive muzikore klasike. "Por lajmi për këtë shfaqje bëhet shume më i rëndësishëm për ne shqiptarët kur sheh se rolin kryesor Cio Cio - San - Madamë Buterflai e luajti një yll në rritje i muzikës operistike botërore, shqiptarja Ermonela Jaho, tashmë e njohur për debutimet e saj të famshme në operën Metropolitane të Nju Jorkut, atë Mbretërore të Londrës, të Berlinit, Parisit, Lionit, Romës e sa të tjera", vë në dukje Flamur Gazhi, drejtor i Institutit Kombwtar tw Diasporës.

Ai thekson se personaliteti i artistes tonë të madhe është i përbërë sa nga dashuria e madhe për artin dhe skenën aq edhe për vendin e saj Shqipërinë dhe njerëzit e saj.

Ajo është një pjesëmarrëse aktive në jetën e komunitetit shqiptaro - amerikan në Nju Jork dhe një mikeshë a afërt e artistëve tjerë që performojnë në Metropolin e Madh të Artit në Nju Jork të drejtuar nga artisti i njohur shqiptar Fadil Berisha.

Shfaqjen, një pasazh të së cilës e shihni në foto, e ndoqën edhe një grup shqiptarësh me banim në Filadelfia. Gëzimi i pjesëmarrësve dhe i vetë artistes ishte i papërshkrueshëm, sidomos kur skena iu mbush me lulet e shqiptarëve që ndoqën shfaqjen.

Në Filadelfia gjatë tërë kohës së provave dhe në shfaqje ajo u shoqërua nga kujdesi dhe dashuria e bashkë-atdhetarëve me banim në atë qytet të grumbulluar rreth Shoqatës së tyre kulturore Bijtë e Shqipes.

a.b/e.r/NOA

KOMENTE