"Kosova si një shtet i mbikëqyrur dhe fëmijë i demokracisë si dhe një vend në zemër të kontinentit Europian ende është në rritje e sipër të kapacitetit dhe të jetës demokratike brenda institucioneve të saj"
Gjon Keka
Zgjedhjet në çdo vend demokratik janë pjesë e formimit të vullnetit politik dhe zhvillimit të kapaciteteve demokratike nëpërmjet partive politike që hyjnë në garë për marrjen e pushtetit.
Janë pikërisht partitë politike ato që marrin vendimet më të rëndësishme në jetën politike të një shteti demokratik dhe njëkohësisht e bëjnë të mundur edhe orientimin politik të qytetarëve të saj.
Por para së gjithash partitë politike kanë si qëllim të tyre të vetëm që nëpërmjet këtij veprimi politik në proceset e jetës politike të vendit të shfrytëzojnë vullnetin e popullit për të kapur pushtetin, apo siç nënvizohet filozofi dhe shkrimtari Francez Jean Paul Sartre se "partia mund të jetë gjithmonë vetëm një mjet.
Dhe gjithmonë ekziston vetëm një qëllim: pushteti". Janë pra partitë ato që duke gjetur mjetin arrijnë që me vullnetin e popullit duke ndikuar nëpërmjet këtij formimi të brendshëm të përkatësisë së fituar nga populli dhe ngjyrimit të arrijnë që mjetin ta bëjnë vegël dhe shkallë të ngjitjes lartë apo poshtë ndërtesës së demokracisë (pushtetit). Ndërkaq Kosova si një shtet i mbikëqyrur dhe fëmijë i demokracisë si dhe një vend në zemër të kontinentit Europian ende është në rritje e sipër të kapacitetit dhe të jetës demokratike brenda institucioneve të saj.
Demokracia e cila në disa raste është keqkuptuar e në disa është konsideruar si liri për të shfrytëzuar mundësit e keqpërdorimeve të mëdha brenda sistemit politik dhe institucional ka quar këtë vend në një pikëpyetje të jetës demokratike dhe zgjedhore e politike.
Që nga paslufta demokracia fëmijë në Kosovë nuk ka funksionuar siç duhet, ajo ende nuk po e gjen shtratin e saj të rritjes dhe të veshjes me dinjitetin qytetar dhe vullnetin e tij sovran, por ajo(demokracia) në Kosovë më shumë është një emër i admiruar tek politikanet, institucionet dhe elita politike, partitë politike se sa që është një qëllim në vetvete dhe një farë e brendshëm që ngritë cilësinë si të institucioneve ashtu edhe të jetës politik dhe shtetërore në tërësi.
Me një fjalë demokracia në shtetin e mbikëqyrur të Kosovës ende nuk i ka futur rrënjët në thellësinë e saj brenda institucioneve dhe jetës politike e shtetëror në përgjithësi, ajo mbetet ende si pjesë e tranzicionit dhe e mësimit nga institucionet politike shtetërore si dhe partitë politike.
Duhet para së gjithash të ekzistojë një kulturë dhe traditë e lartë kulturore, politike e shtetërore ashtu që demokracia të bëhet pjesë e një shteti apo kombi, mirëpo në rastin e Kosovës e cila ka pasur fatin që demokracia të hyj nga dera e botës demokratike dhe miqësore që e kanë parë këtë vend si një projekt të përbashkët të ngritjes nga skllavëria e pushtimeve(otomane, sllave) drejt lirisë dhe jetës së përbashkët të kombeve demokratike duke e futur procesin e jetës politike të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës në rrjedhën kombeve bashkëkohore.
Sidoqoftë tani meqë flitet për zgjedhjet komunale të 15 nëntorit 2009 në Kosovë, duhet theksuar se malli (projektet, programet)që po shpalosin partitët politike në opinionin qytetarë është i prishur i dalë afatit dhe nuk ka të bëjë aspak me zhvillimin, ndryshimin dhe perspektivën e re të Kosovës, janë të njëjtit njerëz, të njëjtit "ideolog", dhe mbi të gjitha është i njëjti mall (projekte) që i është prezantuar qytetarëve të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.
Kosova ka vite që po vuan nga moszhvillimi ekonomik, nga mungesa e demokracisë institucionale e shtetërore, nga infrastruktura, keqmenaxhimi, korrupsioni, varfëria e skajshme, rreziku nga terrorizmi etj, etj.
Defektet e shumta, lodhja dhe mungesa e përgjegjësisë po e çon popullin dhe tërë vendin në një gjendje mosbesimi, apatie dhe zhgënjimi të thellë nga ana e partive të cilat dalin në skenë me thes premtimesh duke i shpjeguar dhe treguar popullit ardhmërinë e tyre në syrin e ëndrrave të parealizueshme dhe të paarritshme.
Megjithëkëtë tani partitë politike në shtetin e mbikëqyrur të Kosovës, në përputhshmëri me parimin e sovranit(popullit), po i prezantojnë opinionit kandidatët e tyre, mallin e tyre, me anë të kësaj ata po zhvillojnë një para-fushatë zgjedhore, po e reklamojnë mallin dhe ofertat e tyre që kanë për t'i hedhur pluhur syve para qytetarëve, ashtu që në kuadër të premtimeve të arrijnë të bindin sadopak masën, sepse në të kundërtën qytetarët nuk do të kishin mundësinë e zgjedhjes së partive dhe personave që ata kanë propozuar si dhe mallit të tyre programor apo projekteve të ëndrrave të mëdha e të parealizueshme.
Malli apo programi apo edhe projekti i partive politike në Kosovë, të cilën ata po ua ofrojnë votuesve për zgjedhje është i dalë boje dhe aspak shpresëdhënës për ndryshime rrënjësore në shtetin e mbikëqyrur të Kosovës ky është malli i vjetër por me slogane të reja dhe programe moderne.
Në kuadër të kësaj duhet nënvizuar se programet që kanë karakter zhvillimor të të partive duhet që te kenë kryesisht dy funksione kryesore.
Në njërën anë, ato duhet të artikulojnë interesat e qytetarëve dhe vullnetin e tij, ndërsa në anën tjetër është detyrë e programeve të partive politike në Kosovë ndikimi i formimit të vullnetit politik të qytetarëve dhe plotësimi i atij vullneti, ashtu që premtimet dhe programet te prekin thelle dëshirën e qytetarit dhe brengat e tij, si dhe perspektivën për një të ardhme më të mirë, dhe më të shëndetshme ekonomikisht, politikisht, në aspektin kulturor, social etj., etj.
Ndërkohë gjatë këtij procesi të para fushatës dhe atij gjatë fushatës partitë politike në Kosovë do të ishte e udhës së paku një minimum bindjesh të përbashkëta në mënyrë që qytetari të shohë vërtetë lëvizjet dhe programet si në teorinë e konkurrencës së demokracisë ashtu edhe në praktikën e saj, se a do të mund vërtet të përputhet me vullnetin e tyre malli, kandidatët dhe oferta programore e partive politike.
Kosova dhe partitë politike dita ditës po rrëshqasin në një oligarkizëm sa që hapësira për veprime dhe ide brenda partiake thuajse vjen duke u shuar, në këtë mënyre në radhët e partive të mëdha politike në Kosovë gjendet një grup apo klan i caktuar që i ngjanë kohës së skllavopronarëve dhe aristokratëve të pasur. Nga kjo lindin shumë mendime dhe kritika si dhe mosinteresim e zhgënjim si qytetar ashtu edhe simpatizantë apo anëtar brenda partiak që nuk arrijnë të kenë mundësi për shtytje të reforma ve në përgjithësi. Ndërsa kritikat vijnë duke u rritur, pastaj mosinteresimi i qytetarëve ndaj partive politike është i madh, kështu që ky oligarkizëm i brendshëm partiak çon në rënien e numrit të anëtarëve të qëndrueshëm dhe të simpatizantëve në përgjithësi, si dhe në zvogëlimin e rezonancës në mënyrë të dukshme në radhët e brezave të rinj të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.
Ndërkaq tani ne mund të shohim qartë se si partitë politike në Kosovë janë larguar shumë nga baza e saj, pra nga vetë votuesit, qytetari, mirëqenia e tij ekonomike, brenga e tij, vullneti i tij, dëshira e tij, siguria e tij etj.
Kjo distancë në mes të politikanëve joprofesionist të Kosovës nga të të gjitha partitë politike dhe popullit në përgjithësi është shumë e madhe, gjë që e bën të pamundur shkëmbimin e gjallë të pikëpamjeve, nevojave të përbashkëta, dhe vullnetit për të ardhmen duke forcuar marrëdhënien qytetar-institucione-parti politike në Kosovë.
Nga ky problem i distancës dhe i mospunës si dhe i premtimeve boshe lind mosinteresimi për partitë politike në Kosovë, kritika ndaj tyre, pastaj shkarkohen emocione, të cilat bazohen në ndjenjën se politika dhe partitë politike janë grykëse pushteti, keqmenaxhues. gënjeshtar të mëdhenj, të pakuptueshëm, të padepërtueshëm, të pakontrollueshëm, dhe të cilët i ndërrojnë koret e maskave çdo vit si dhe në kohë zgjedhjesh. Të gjitha këto probleme vijnë si rezultat i mungesës së përgjegjësisë, defekteve tjera si dhe të oligarkisë dhe grykësisë për pushtet, duke humbur partitë politike në Kosovës fuqinë e ndikimit në shoqëri respektivisht tek qytetari i cili ka rënë në zhgënjim dhe krizë të mosbesimit ndaj elitës politike në vend, dhe në këtë mënyre vjen deri te dështimi i partive politike në marrëdhëniet qytetar-institucione-parti politike.
Po ashtu në këtë mënyrë humbet edhe trualli i përbashkët socio-psikologjik, mbi të cilin së pari rritet mosinteresimi, ndjenja e pakënaqësisë ndaj partive politike në Kosovë dhe së fundi edhe ndaj politikës shtetërore në përgjithësi.
Dhe krejt në fund zgjedhjet që do zhvillohen brenda këtij respektivisht më 15 nëntor 2009 në shtetin e mbikëqyrur të Kosovës janë një test i rëndësishëm për demokracinë dhe funksionimin e saj brenda kapilarëve të institucioneve të Kosovës.
Si dhe një matje impulsesh në mesë të partive politike dhe mallit që ata do të prezantoj para qytetarëve të saj, pastaj normat e brendshme të lëvizjes së proceseve demokratike dhe të bindjes qytetare pas një zhgënjim të thellë të tyre karshi një realiteti dyshues që kanë krijuar partitë qeverisëse të vendit duke mos lëvizur asnjë gurë në drejtim të plotësimit të gjendjes qytetare dhe zhvillimeve në përgjithësi të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. Nuk mund të dihet se cilat do të jenë motivet që një qytetar të Kosovë ta shtyjnë që të dal në zgjedhje të këtij viti, sepse duke parë se me kalimin e kohës asgjë nuk ka ndryshuar dhe se realiteti tregon një gjendje të mjerë, qytetarët nuk duket se kanë ndonjë alternativë, apo edhe një frymë të re në skenën politike të Kosovës që të mendojnë më konkretisht për ardhmërinë e tyre dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.
Ende nuk është vërejtur nga ana e partive politike një aftësi e tillë që me anë të kompetencës dhe vullnetit politik të arrijnë që mallin e tyre ta përputhin në plotësi me vullnetin dhe nevojat e qytetarëve të saj duke zgjidhur problemet në fushat prioritare të nevojave qytetare dhe të shtetit të mbikëqyrur në përgjithësi, ashtu që qytetari të sheh se demokracia po funksion, se Kosova po ecën në drejtimin e duhur të zhvillimit dhenë proceset e integrimit në strukturat euroatlantike.