English

Meta: Pakti me PD, vendimi më i rëndësishëm që nga krijimi i LSI

Tiranë, 11 tetor NOA - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta konsideron se marrëveshja për bashkëqeverisje që u bë mes kësaj force politike dhe Partisë Demokratike të udhëhequr nga Sali Berisha, është gjëja më e rëndësishme që nga themelimi i LSI.

Deklarata e fortë dhe e guximshme e Metës, u bë mesditën e së Dielës në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI në Tiranë.

Nga ana tjetër, Meta nuk i kurseu as sot, akuzat e shumta ndaj opozitës së udhëhequr nga Partia Socialiste e Edi Ramës.

Meta akuzoi ish-partnerin e tij politik Rama kur tha se ai "po përpiqet të marrë peng institucionet për përfitime të tij".

Ndërsa shtoi se "Rama nuk do të mund të pengojë as pjesëmarrjen në këtë proces të personave që janë në opozitë me këtë qeveri dhe as të ndalë punën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në rrugën dhe përpjekjen e saj për integrimin e Shqipërisë".

Më tej, Meta komentoi manifestimin e së Shtunës në qendër të Tiranës përballë kryeministrisë.

Ai tha se protesta ishte absurde, qesharake dhe paradoksale: "Veprime të tilla qesharake dhe nisma të tilla, nuk bëjnë gjë tjetër veçse ia humbasin seriozitetin opozitës", - deklaroi z.Meta.

Menjëherë më pas, kreu i LSI vlerësoi se tubimi për bojkotin u pasua nga një bojkot i qytetarëve që tha se ishin të pakët në mbështetjen e tyre ndaj nismave të këtilla të Edi Ramës.

"Bojkoti i opozitës është përballur me bojkot, jo vetëm nga qytetarët e Tiranës, ata opozitarë, por edhe nga anëtarët e opozitës të cilët tregojnë se vetë socialistët nuk mund të mbështesin një politikë që kërkon ta kthejë prapa këtë forcë politike", - deklaroi kryetari i LSI që tani mban edhe postet e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të jashtëm në kabinetin qeveritar "Berisha 2".

Në këtë pikë, Meta edhe një herë i ka bërë thirrje opozitës që të marrë pjesë në Kuvend: "Opozita të kontribuojë në zhvillimet e vendit sepse kjo është rruga e vetme, për të afirmuar një opozitë me standarde të vendit", - deklaroi z.Meta.

f.sh/NOA

KOMENTE