"Problemi ndodhet gjetkë. Problemi është Boris Tadiçi, që e quan EULEX-in "të paligjshëm", e ia përplasë derën e enklavave në hundë. Që thua ti, kjo harbutëri është problematike për EULEX-in, që humb fytyrë karshi shqiptarëve. Por është problematike edhe për aleatët e Serbisë. Ato s'e qasin dot manaren e vet në BE, gjersa ajo qet shkelma në Kosovë. Prandaj duhej gjetur një rrugë që ua ruan fytyrën dy palëve, ndërsa Serbisë ia hap rrugën për në BE"
Nga Shqiptar Oseku
Një king i ri ka lindur në xhunglën e ofiqeve kosovare: Mikael Luis Gifoni, ambasadori i Italisë, është tani de facto kreu i ri i Bashkimit Evropian, enkas për enklavat e Serbisë në veri të Kosovës. Kryeministri Thaçi, që e lavdëroi emërimin e tij si "dëshmi të përkushtimit" të BE-së për "integrim" të Kosovës, them se do të ketë nxitur goxha disa buzëqeshje ironike në Bruksel. E vërteta, që e di edhe fëmija i rrugës, është se emërimi i zt. Gifoni dëshmon pikërisht të kundërtën; se BE-ja po e ndërmerr një hap të ri drejt fortifikimit të enklavës serbe në veri.
Nuk është këtu problemi te vetë personi i shkëlqesisë së Tij, zt. Grifoni. Ai ka qenë ndër ambasadorët më patëkeq në Kosovë. Ka organizuar takime me hoxhallarë e priftërinj nëpër katundet e Pejës. Ka mbajtur seminar për agrikulturën. Ka kullotur këtej ca bosa të hidroelektranave italiane. Në disa raste, madje edhe është shprehur, ashtu pa obligime, për "perspektivën evropiane" të "Ballkanit Perëndimor", kuptoje si të duash. Shkurt e shqip, herifi ka ulur kokën e ka shikuar punën e vet. S'ka shprehur preferenca partiake. S'ka kërkuar arrestime e burgosje. S'i ka mbështetur atentatet ligjore, madje as kur ato janë kryer nga prokurorët italianë. Sikur të ishin të gjithë ambasadorët si shkëlqesia e Tij zt. Gifoni, do t'i kishim punët fort mirë.
Problemi është diku tjetër. Që thua ti, problemi është te vetë nocioni i një bosi të BE-së enkas për enklavat e Serbisë. Një ofiq që, le ta kujtojmë, s'përmendet gjëkundi as në Planin Ahtisari, as në ndonjërin nga dokumentet rrëzë të shtetit kosovar, në të cilat Sejdiu e Thaçi bëjnë be e rrufe.
Pse ky përjashtim? Nëse do të jetë ndihmës i zt. Faith, pse nuk e shpalli ky vetë emërimin? Pse u desh të kumtohej me fanfare në Bruksel nga vetë Havier Solana, bosi i zt. Faith? Apo ta marrim si kritikë indirekte ndaj zt. Peter Faith? Ndoshta ai ka gabuar gjëkafshë, në veri apo gjetiu? Ndoshta ai s'ka patur forcë a fantazi t'i kryejë me detyrat e ngarkuara? Thënë troç, ndoshta zt. Faith ka qenë ofiqar i dobët? Nëse është kështu, atëhere pse po na e lënë neve lojtarin e dobët, ndërsa në enklava po e hedhin në lojë rezervën?!
Natyrisht, problemi ndodhet gjetkë. Problemi është Boris Tadiçi, që e quan EULEX-in "të paligjshëm", e ia përplasë derën e enklavave në hundë. Që thua ti, kjo harbutëri është problematike për EULEX-in, që humb fytyrë karshi shqiptarëve. Por është problematike edhe për aleatët e Serbisë. Ato s'e qasin dot manaren e vet në BE, gjersa ajo qet shkelma në Kosovë. Prandaj duhej gjetur një rrugë që ua ruan fytyrën dy palëve, ndërsa Serbisë ia hap rrugën për në BE.
Le të mos e gënjejë, pra, mendja askënd: objektivi i këtij truku nuk është fare integrimi i Kosovës. Po të donte integrim të Kosovës, EULEX-i do t'i shpallte enklavat e Serbisë të paligjshme, meqë përbëjnë shkelje flagrante të rez 1244 të KS të OKB-së. Ai do ta urdhëronte K-Forin që t'i arrestojë eksponentët e Beogradit nëpër enklava, kurse Policinë e Kosovës që ta mbrojë atje rendin e ligjin, pikë fund. Ky po që do t'ishte integrim i Kosovës. Por them se do ta zemëronte Serbinë, e aleatët e saj do ta bënin rrëmujë BE-në. Thënë troç, integrimi i Kosovës ka kosto më të lartë se sa mundet të paguajë BE-ja.
Prandaj, objektivi i manovrës është, në njërën anë, që t'ia shpëtojë fytyrën EULEX-it, duke instaluar në enklava një prezencë simbolike. E në anën tjetër, që t'ia trasojë rrugën Serbisë drejt BE-së, pa e bezidsur me kërkesa të zorshme e të papranueshme. Thënë troç, një bos i veçantë i EULEX-it për enklavat e Serbisë quhet duplikim i vargut komandues. Ky duplikim është pranuar nga Serbia në polici, tani EULEX-i eksperimenton me të edhe në nivel qeverisës. Si funksionon vargu i dyfishtë komandues në praktikë, këtë na e tregoi shembulli i policisë. Siç e pamë te Kroi i Vitakut, policëve serbët uniformat u vijnë nga Prishtina, e urdhërat nga Beogradi.
Fitues i madh i kësaj manovre është, pa dyshim, Serbia. Kjo zgjidhje ia jep shansin asaj që t'i qaset BE-së, pa humbur diçka substanciale në Kosovë. EULEX-i në enklavat e Serbisë edhe më tutje do të marrë frymë aq sa lejon Tadiçi, as më shumë e as më pak. Edhe në planin e brendshëm, zt Tadiç fiton nga kjo ndarje e ofiqeve, meqë mund të argumentojë se kjo paralajmëron ndarje të territorit.
Fitues është edhe EULEX-i, i cili mund ta etablojë një prezencë simbolike në enklavat e Serbisë, paçka se s'bën dot atje as gëk, as mëk, pa leje të Tadiçit. Që thua ti, EULEX-i ka bërë mend që dy-tri inserte spektakolare në RTK me ceremoni solemne nëpër enklava etj. etj. do të mjaftojnë për ta neutralizuar kritikën te pala shqiptare. Në këtë lojë, ata llogaritin gjakftohtësisht në ndihmën e pakursyer të krerëve shqiptarë e të mediave të tyre luajale; si shihet nga kumtesat e para të Thaçit, llogaritja e tyre s'është krejt gabim.
E vetmja palë që humbet në këtë mes është Kosova. Dikush mund të thotë që Kosova s'e humbet dot atë që s'e ka, d.m.th kontrollin mbi enklavat. Por unë them se Kosova humbet, meqë debati politik fokusohet në akte simbolike, në vend se të përqendrohet aty ku duhet, në përgjegjësinë për vendosjen e doganave, shpërndarjen e strukturave të Serbisë, funksionimin e shtetit në enklava, e vendosjen e lirisë së plotë të qarkullimit në tërë territorin e vendit.
Humbja më e madhe e Kosovës vjen në planin e jashtëm. Nëse Serbia arrin ta neutralizojnë dhe ta shkëpusë disi çështjen e Kosovës nga procedurat e afrimit me BE-në, atëherë Serbisë de facto i hapet udha e anëtarësimit në BE pavarësisht sjelljes së vet në Kosovë. E pra, s'ka nevojë të gjesh gjeni për të kuptuar se çfarë mund të ngjajë, nëse kjo ndodhë. Mjafton të kujtosh që BE-ja e ka mandatin real qeveritar mbi Kosovën, pa do të kuptosh se sa është ora.
Qeveria Thaçi bën mirë të mos e luajë idiotin. Serviliteti karshi të huajve, e shndërrimi i dobësisë në virtyt ishin tiparet dominuese të qeverive të mëparshme, të cilat Thaçi me të drejtë i kritikonte gjersa ishte vetë në opozitë. Ai tashti kompromentohet para qytetarëve kur sillet në të njëjtën mënyrë.
Nga pozita e varur ku ndodhet, është iluzore të shpresosh që zt. Thaçi mund ta pengojë duplikimin e komandës në EULEX. Por ai mund të shtrojë kërkesa për ndryshime thelbore, e jo vetëm kozmetike, në enklava. Dogana duhet të funksionojë, FSK-ja dhe Policia e Kosovës duhet të veprojnë lirshëm në enklava, qytetarët duhet ta gëzojnë lirinë e qarkullimit dhe të kthimit në shtëpitë dhe pronat e veta. Nëse EULEX-i nuk i arrin këto, atëherë bën më së miri t'i mbledhë çaklat e veta nga Kosova. Sa për të jetuar ndarazi, këtë kemi arritur fort mirë ta bëjmë për 500 vjet pa ndihmën e tjerëve.
Shënim i NOA: Opinionet nuk paraqesin domosdoshmërisht, qëndrimin e NOA