Prishtinë, 11 tetor NOA-Pak ditë para fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, subjektet politike në Kosovë po bëjnë thirrje për një garë të barabartë.
Fushata parazgjedhore në Kosovë për zgjedhjet lokale zyrtarisht pritet të fillojë të enjten, por disa parti kanë filluar prej ditësh aktivitetet e tyre parazgjedhore.
Në rrugët e Prishtinës janë vendosur postera të kandidatëve që garojnë për ta marrë udhëheqjen e kryeqendrës së Kosovës apo të drejtuesve të partive, ndërsa televizionet kanë filluar të transmetojnë spote elektorale.
Aktivitetet e parakohshme zgjedhore kanë nxitur reagimin e disa subjekteve politike, që i kanë vlerësuar ato si shkelje të rregullave zgjedhore.
Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e dytë më e madhe në vend, ka thënë se ka denoncuar në Komisionin për Ankesa e Parashtresa shkeljet e bëra nga partitë tjera, pa specifikuar se për cilat parti bëhet fjalë.
Disa subjekte më të vogla politike kanë bërë thirrje që të respektohen rregullat e lojës dhe që "partitë e mëdha të mos-keqpërdorin mundësitë e tyre financiare dhe pushtetet politike për arritjen e qëllimeve të tyre".
Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, do të garojnë 74 entitete politike.
Këto do të jenë zgjedhjet e para pas pavarësisë dhe që do të organizohen nga autoritetet vendore.
Zgjedhjet do të vëzhgohen nga koalicioni i organizatave joqeveritare "Demokracia në veprim", i cili në fundjavë ka filluar me trajnimin e vëzhguesve lokalë.
Â