English

Kryeministri Berisha: Universitetet kanë rol të veçantë për qeverinë

Tiranë, 12 tetor, NOA - Universitetet kanë një rol dhe prioritet të veçantë për qeverinë Berisha. Një fakt të tillë e ka vënë në dukje vetë kryeministri, gjatë fjalës së përshëndetjes që mbajti në universitetin Bujqësor të Kamzës, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2009-2010.

"Sot në auditore ulen 12 mijë studentë dhe ky përbën një investim të madh për të ardhmen. Ne do të bëjmë çdo gjë të mundur që të shtohet rekrutimi i të rinjve në universitete dhe ky përbën një rekord", tha në fjalën e tij kryeministri.

Duke vijuar këtë argument, ai tha se Gjirokastra përbën një rekord në këtë fushë për numrin e studentëve rajonalë që e ndjekin universitetin e saj dhe këtë "do të përpiqemi që ta kapin edhe universitetet e tjera të rretheve të vendit".

"Universiteti juaj ka një rol të veçantë për qeverinë time. Ne kemi një program ambicioz dhe studentët tuaj janë një pasuri e madhe që duhet shfrytëzuar, pasi ne jemi vendi i kullotave, biodiversitetit dhe nivelit më të lartë të ujërave. Ne do të financojmë projektet tuaja në çdo fushë, ndërsa juve duhet që të jepni sa më shumë kontribut, si një partner i rëndësishëm i qeverisë. Ne kemi nevojë për ju, me qëllim që projektin që nisëm për ullirin, ta shtrijmë dhe në fusha të tjera", u është drejtuar ai studentëve të universitetit Bujqësor të Kamzës.

Ndërkaq, në fjalën e tij, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqyrem Tafaj ka deklaruar se arsimi i lartë është duke përjetuar reformën e tij më të përshpejtuar në historinë e tij.

Ai ka premtuar se është ndër prioritetet e qeverisë pajisja me fondet e duhura për laboratore dhe gjithçka tjetër të nevojshme për universitetet.

Ai vlerësoi projektin e ullirit si një ndër më të rëndësishmit, në të cilin bashkë me qeverinë, universiteti Bujqësor i Kamzës mund të japë ndihmën e tij.

n.e/NOA

KOMENTE