English

Vizat, PS: Mos t'ia hedhin fajin opozitës, çështja dështoi nga qeveria Berisha-Meta

Tiranë, 12 tetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni ka deklaruar sot se çështja e liberalizimit të vizave është një dështim i qeverisë Berisha-Meta.

Gjoni ka hedhur poshtë akuzat e Berishës se dështimi i këtij procesi është për shkak të mungesës së kontributit të opozitës.

"Partia Socialiste shpreh shqetësimin e saj për dështimin e qeverisë Berisha-Meta për të përmbushur standardet që do të mundësonin heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët sikundër po ndodh me maqedonasit, serbët e malazezët. Po ashtu denoncojmë përpjekjet e qeverisë për t'ia faturuar dështimin e saj në këtë proces, opozitës.

Deputeti socialist, Ilir Gjoni ka rradhitur disa nga kriteret të cilët qeveria nuk i ka përmbushur për të fituar procesin e liberalizmit të vizave.

"Nuk janë përmirësuar masat për aksesin në informacion mbi kapjen e drogës dhe personave të përfshirë në Pikat e Kalimit Kufitar.

Nuk është amenduar ligji Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar.

Nuk është zbatuar Strategjia Ndërsektoriale si dhe Plani i Veprimit Antikorrupsion.

Nuk janë implementuar ende plotësisht rekomandimet e Këshillit të Europës (GRECO) për çështjet e korrupsionit.

Nuk është forcuar ende sistemi i kontrollit të brendshëm dhe aktiviteteve antikorrupsion në administratën publike dhe organet e zbatimit të ligjit. Nuk është përforcuar bashkëpunimit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit" tha Gjoni.

Sipas Gjonit, Integrimi i Shqipërisë në BE nuk bëhet as me propagandë boshe e as me letërkëmbime ministrore.

Ai kërkon impenjim e përkushtim të tërë strukturave të shtetit për të forcuar administratën publike, duke pasur një gjyqësor të pavarur e të paanshëm, prokurorë të specializuar në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ashtu siç kërkohet dhe një polici të depolitizuar e profesionale si dhe ligje të mira e të zbatueshme për të kontrolluar sa më mirë prokurimet publike, për të ushtruar kontrollin financiar dhe auditin dhe luftuar evazionin fiskal.

k.k/NOA

KOMENTE