Prishtinë, 12 tetor NOA - Lëvizja për Bashkim e Kosovës ka refuzuar të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Kodit të Mirësjelljes.
"Më 14 tetor 2009, nën vëzhgimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu organizohet Ceremonia e Nënshkrimit të Kodit të Mirësjelljes për zgjedhjet lokale 2009.
Në këtë manifestim është ftuar edhe Lëvizja për Bashkim, si subjekt pjesëmarrës në zgjedhjet lokale.
Deklarojmë publikisht se ne nuk do të marrim pjesë në këtë ceremoni dhe refuzojmë publikisht nënshkrimin ceremonial të Kodit të Mirësjelljes" thuhej në deklaratën zyrtare lëshuar sot nga LB.
Sipas saj, Lëvizja për Bashkim i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara ligjore dhe e ka nënshkruar ligjërisht Kodin e Mirësjelljes dhe e përgatitur po e pret fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale.
"Nikoqiri i kësaj ceremonie, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me kandidatët e tyre për zgjedhjet 2009 janë bërë shkelësit kryesorë edhe të Kodit të Mirësjelljes, edhe të rregullave të përgjithshme demokratike.
Presidenti i Republikës dhe Kryeministri, duke shpërdoruar postin dhe paratë publike, vazhdimisht të shoqëruar me kandidatë të partisë përkatëse për zgjedhjet lokale, madje edhe një muaj para fillimit ligjor të fushatës, me reklama para mediave, me pllakate gjigante e forma të tjera të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes janë bërë ndër faktorët kryesorë që këto zgjedhje nuk do të jenë as të ndershme, as demokratike" thuhej më tej në deklaratën e Lëvizjes për Bashkim.
LB e quajti hipokrizi premtimin për zgjedhje të lira dhe të drejta nga qeveria.
k.k/NOAÂ