Nga Rajmonda Lajthia Â
Tiranë, 13 tetor NOA - Rënia që ka pësuar kreditimi i ekonomisë mund të na çojë në një situatë aspak të këndshme në të ardhmen, e cila do të dëmtojë biznesin, vendin, por edhe vetë bankat.
Guvernatori Ardian Fullani i ka bërë apel bankave të nivelit të dytë që të vijojnë kreditimin e kujdesshëm të ekonomisë.
Sipas tij, dy janë arsyet pse është tkurrur kredidhënia.
Së pari, rënia e investimeve dhe pjesërisht edhe e konsumit në ekonomi ka sjellë ulje të kërkesës për kredi dhe së dyti, bankat janë bërë edhe më të kujdesshme në kredidhënie për shkak të rrezikut.
"Gatishmëria për të kredituar ekonominë me fonde ka rënë. Si rezultat, Banka e Shqipërisë gjykon se mund të hyhet në një rreth vicioz, në të cilin moskreditimi rezulton të na sjellë një ngadalësim të tejzgjatur të ekonominë"- u shpreh Fullani.
Sipas tij është e qartë që sektori bankar duhet të përballohet me një klimë më të vështirë biznesi dhe ka nevojë të përshtatet për një periudhë afatmesme. Â
Gjatë një forumi me bankat që ushtrojnë veprimtari në vendin tonë, guvernatori kërkoi edhe nga politika, që të vlerësojë situatën ekonomike me më shumë seriozitet.
Sipas tij prioritet absolut është gjetja e burimeve valutore. Ky prioritet mund të arrihet nëpërmjet investimeve të huaja direkte.Â
Ndaj në këtë situatë Fullani apeloi bankave për rëndësinë që ato kanë në këtë drejtim. Guvernatori çmon se për daljen sa më butë nga kjo situatë duhen hartuar politika të mençura, të një zhvillimi të qëndrueshëm.
r.l/NOA