Singapor, 13 tetor, NOA - Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha po merr pjesë në takimin ministerial, i cili zhvillohet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të 78-të të INTERPOL-it, në Singapor.
Burimet zyrtare pranë ministrisë së Brendshme bëjnë me dijeni se në këtë Ministerial ku janë të pranishëm rreth 70 ministra nga e gjithë bota po diskutohet mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar si dhe mbi rolin e forcave policore në operacionet paqeruajtëse të OKB-së.
Në fjalën e mbajtur prej tij, ministri Basha u ndal në arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, si dhe rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit dhe koordinimit midis Shqipërisë dhe partnerëve euroatlantikë dhe Interpolit.
"Duke zbatuar një politikë zero tolerancë ndaj krimit, Shqipëria arriti që në një kohë fare të shkurtër të shkatërrojë mbi 220 organizata dhe qeliza të krimit të organizuar në Shqipëri dhe të çojë mbi 1000 persona para drejtësisë", theksoi ministri Basha.
Sipas tij, rezultat i këtij vullneti politik dhe rritjes së kapaciteteve zbuluese, goditëse dhe parandaluese si dhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer me vendet fqinje, me vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, me EUROPOL-in dhe INTERPOL-in, Shqipëria është shndërruar në një nga vendet me tregues të kriminalitetit nën mesataren e BE-së, duke garantuar rendin dhe sigurinë si dhe duke u kthyer në vendin më të sigurtë në rajon.
Bashkëpunimi me INTERPOL-in e rendit Shqipërinë në krye të listës, përsa i përket kërkesave për arrestime dhe ekstradime nga territori i vendeve anëtare.
Vetëm gjatë 3 viteve të fundit janë arrestuar dhe ekstraduar rreth 500 persona të kërkuar nga INTERPOL Tirana. Në këtë kuadër Ministri Basha rikonfirmoi vullnetin e palës shqiptare për të proceduar me rigorozitet përsa i përket kërkesave për arrestimin dhe ekstradimin e çdo individi që ka kryer vepra penale.
n.e/NOA