Ljubjana, 13 tetor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, me ftesë të Presidentit slloven, Danilo Tyrk është nisur për një vizitë shtetërore dyditore në Slloveni në krye të një delegacioni të përbërë nga drejtues të lartë të institucioneve kushtetuese e të pavarura, nga akademikë si dhe nga një grup i madh përfaqësuesish të sipërmarrjeve shqiptare.
Sipas të dhënave nga burimet e Presidencës për agjencinë e Lajmeve NOA, kreu i shtetit shqiptar do të mikpritet nga homologu i tij slloven, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, për t'u pasuar nga takimi i dy delegacioneve respektive zyrtare ku pritet që temat e bisedimeve plenare do të përqendrohen në marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe situatën në rajon. Ndër të tjera, presidenti Topi do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin slloven, Borut Pahor, me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Pavel Gandar, si dhe me kryebashkiakun e Ljubljanës, Zoran Jankoviç dhe atë të Bledit, Janec Fajfar. Por një etapë e rëndësishme e vizitës së presidentit Topi do të jetë pjesëmarrja e përbashkët me homologun e tij slloven në konferencën e Biznesit shqiptaro-slloven ku të dy presidentët do të përshëndesin bashkësinë e sipërmarrësve të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së dy vendeve respektive duke vënë theksin në forcimin dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, si dhe gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal.
n.e/NOA