English

Rama: Gati të hyjmë në Kuvend nëse hapen kutitë, të premten protestë në Berat

Tiranë, 13 tetor NOA - Kreu u Partisë Socialiste, Edi Rama doli sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës bëri të ditur se opozita është e gatshme të hyjë në parlament nëse u krijohen kushtet për një hetim të pakushtëzuar parlamentar të zgjedhjeve, ndërsa deklaroi se të premten protesta e radhës do të zhvillohen në Berat.

"Ne do të vazhdojmë të theksojmë gatishmërinë tonë për të hyrë në Parlament me t'u krijuar kushtet për hetimin e pakushtëzuar parlamentar të zgjedhjeve dhe ndërkohë do të vijojmë rrugën e protestave qytetare, në Berat këtë të premte, e më tej në qytete të tjera, duke zgjeruar valën e tyre në çdo rrugë të Shqipërisë" tha Rama.

Sipas Ramës, PS është e shqetësuar për gjendjen e vështirë ku është katandisur Parlamenti shqiptar dhe kthimin e tij në një hallkë krejt formale të shtetit, e cila një herë në javë funksionon për interesat e pushtetit.

"Ky Parlament pa legjitimitet, që mbahet hapur si shkollë nate vetëm falë një pazari interesash familjare e klanore, nuk mund të përballojë asnjë sfidë në këtë kohë kur vendit i duhen hapa të guximshëm politikë e ligjorë për të dalë nga bataku i krizës së demokracisë, i krizës së shtetit të së drejtës dhe i krizës së ekonomisë që po thellohen dita-ditës.

Zhytja e përditshme në batakun e krizës së trefishtë ku ka rënë vendi nuk mund të mbulohet me paradën e rëndomtë të qeverisë në mediat e vëna në shërbim të plotë të saj dhe nuk mund të ndalet me propagandën e shëmtuar anti-opozitare të pushtetit" shtoi më tej Rama.

Ndërkohë kryesocialisti Rama deklaroi sot se numri i firmave të qytetarëve mbi nismën ligjore për hapjen e kutive shumë shpejt do të mbërrijë në 50 mijë.

k.k/NOA

KOMENTE