English

Berisha në panairin "Fiera del Levante": Jemi të hapur për çdo investim të huaj

Tiranë, 14 tetor NOA Update - Kryeministri Sali Berisha i ka premtuar sot investitorëve të huaj klimë të mirë në Shqipëri për biznesin e tyre.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e hapjes së panairit "Fiera del Levante" në Pallatin e Kongreseve, Berisha i ftoi investitorët italianë që të investojnë në Shqipëri, pasi qeveria po punon për një klimë sa më të favorshme për biznesin.

"Unë do të doja të siguroja investitorët italianë, se Shqipëria është duke punuar çdo ditë për t'u bërë gjithnjë e më e dashur dhe më e hapur ndaj investitorëve të huaj, ndaj investitorëve puliezë.

Ne jemi duke punuar fort për të shkatërruar çdo pengesë burokratike, për të zgjidhur çështjen e pronës private, të sigurojmë investimet", u shpreh kryeministri.

Berisha theksoi se duke qenë që Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha në fushën energjetike, ato kanë tërhequr vëmendjen e firmave italiane që janë duke punuar në sektorin hidrik, eolik, në biomasë dhe ne jemi të hapur për të gjitha burimet e tjera energjetike.

Kjo sipas tij do të bëjë që Shqipëria të ketë një fuqi hidrike të jashtëzakonshme për t'u shfrytëzuar.

Që do të thotë se në këtë vend do të ndërtohen më shumë se 440 hidrocentrale, nga më të mëdhenjtë deri te më të vegjlit.

Mjaft firma tha Berisha kanë paraqitur interes për Skavicën; "Marseglia" ka filluar punën për një termocentral me biomasë dhe një park eolik; "Moncada", do të ketë platformë eolike, besoj se ndër më të mëdhatë në Evropë, që do të ndërtohet në gadishullin e Karaburunit.

Ne jemi duke ndërtuar 6 parqe industriale, ku industrialistët italianë do të mund të investojnë", citoi kryeministri.

m.i/NOA

KOMENTE