English

Dade: Berishës i del në mbrojtje miku i tij, Grossruck njësoj si në vitin 1996

Tiranë, 14 tetor NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade ka dhënë sot një deklaratë për shtyp me anë të së cilës bëri të ditur se Grouseruck përfaqësues i Asamblesë Parlamentare të OSBE është miku i Sali Berishës.

"Ditët e fundit, ka zhvilluar punimet Asambleja Parlamentare e OSBE në Athinë ku me sa pamë nga media dje, ka marrë pjesë edhe një gjysmë delegacioni nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë. Unë si ish-anëtare e Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe si një person që i njoh mirë rregullat se si funksionon kjo Asamble Parlamentare, nuk kam se si të mos bëj komentet e mia, kur ndoqa me vëmendjen 3 personalitetet të kësaj asambleje.

Sigurisht, tema e kësaj Asambleje Parlamentare ka qenë tjetër gjë, atje është folur për energjinë, madje edhe për galvanizimet dhe sigurisht ekipi i dërguar nga Sali Berisha ka arritur që të marrë ato 3 intervista" tha Dade.

"Natyrisht, Grossruck njihet prej vitesh, edhe kur Sali Berisha ka qenë në ditët e tij më të këqija, siç ishin zgjedhjet e vitit 1996, zoti Grossruck duke shkelur të gjitha standardet edhe të organizatës që përfaqëson, por edhe standardet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme edhe të vendit të tij, Austrisë, ka përshëndetur zgjedhjet e 1996, duke i quajtur konform standardeve, zgjedhje për të cilat Shqipëria ka hyrë në të gjitha faqet e historisë evropiane, si vendi që ka dhunuar zgjedhjet.

Sali Berisha bëri të njëjtën gjë edhe me zgjedhjet e fundit, në 28 qershor dhe sigurisht solli në skenë mikun e tij të vjetër, me të cilin personalisht kam patur debate edhe në Asamblenë Parlamentare, madje, kur ai ka dalë në krah të Sali Berishës, kur vetë Sali Berisha ka sulmuar institucionet në Shqipëri" shtoi më tej deputetja socialiste.

Dade ka shprehur keqardhjen që Grossruck miku i Berishës, flet në emër të Asamblesë Parlamentare të OSBE.

"Unë besoj që Asambleja Parlamentare do t'i përmbahet standardeve dhe parimeve mbi të cilat është ngritur kjo organizatë euroatlantike dhe sigurisht në kontaktet që ne kemi me Presidentin e Asamblesë Parlamentare, Z. Soares, por edhe me Brus Xhorxh, i cili u prononcua dy ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe ju u kujtohet që ai ishte tepër kritik dhe në këtë rast ai ishte në cilësinë e përfaqësimit të asamblesë parlamentare të NATO-s.

Reagimi për zgjedhjet do të vazhdoj gjatë.

 Opozita është e angazhuar për të vazhduar bashkëpunimin jo vetëm me Asamblenë Parlamentare të OSBE, por edhe me të gjitha organizmat euroatlantik që janë të interesuar për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike dhe sigurisht Z. Heising, që duke thënë se "në një demokraci normale opozita e ka vendin në parlament", unë bëj komentin që, sigurisht në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me demokraci normale dhe është pikërisht kjo që ne do të vazhdojmë të bëjmë lobingun tonë, ashtu si edhe Sali Berisha e bën këtë lobing për të deformuar realitetin" tha më tej Dade.

k.k/NOA

KOMENTE