English

Fëmijët në nevojë, Ministria e Punës nis takimet me donatorët për projektet sociale

Tiranë, 14 tetor NOA-Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, diskutoi sot me përfaqësuesen e PNUD dhe koordinatoren e organizatave të OKB në Shqipëri, znj. Gulden Turkoz-Cosslett, për zbatimin e Strategjisë së Përfshirjes Sociale.

Ministri Ksera vlerësoi kontributin e agjencive të OKB që veprojnë në Shqipëri në mbështetje të strukturave shtetërore për hartimin dhe zbatimin e politikave eficente në fusha të tilla si barazia gjinore, dhuna në familje, punësimi i të rinjve, riintegrimi i emigrantëve të kthyer, mbështeja e komunitetit rom, fëmijëve, etj.

"Ne e vlerësojmë shumë të rëndësishëm projektin e përbashkët për mbështetjen e komunitetit rom, pasi ky projekt është në përputhje me objektivat e Qeverisë për mbështetjen e kësaj kategorie dhe një detyrim i yni në kuadër të aplikimit të Shqipërisë për në BE", u shpreh Ministri i Punës.

Zonja Cosslett theksoi se programet e OKB-së në Shqipëri janë në mbështetje të plotësimit të detyrimeve të Shqipërisë për integrimin në BE.

Bashkëbiseduesit u ndalën veçanërisht në bashkëpunimin e Ministrisë së Punës me PNUD për ngritjen e Qendrës Kombëtare për pritjen e viktimave të dhunës në familje, rikonstruksioni i së cilës do të përfundojë së shpejti.

Sipas zonjës Cosslett, OKB ka filluar punën për përgatitjen e një dokumenti kuadër për mbështetjen e Qeverisë shqiptare në zbatimin e Strategjisë së Përfshirjes Sociale.

Mbi bazën e këtij dokumenti, agjencitë e OKB do të orientojnë programet dhe fondet e tyre në mbështetje të realizmit të objektivave të kësaj strategjie, nëpërmjet mbështetjes së kategorive të veçanta të përfshira në këtë dokument.

"Unë dhe stafi im jemi të angazhuar që të punojmë për realizimin e detyrimeve tona dhe zbatimi i Strategjisë së Përfshirjes Sociale është një nga më të rëndësishmit", u shpreh ministri Ksera.

KOMENTE