Tiranë, 14 Tetor NOA - Gjykata e Rrethit të Tiranës, vendosi pasditen e sotme masën e sigurisë së arrestit me burg 15 ditë, për autorin e aksidentit të së Dielës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në kryeqytet.
Prokurorja e çështjes, Liliana Gjonmemaj, kërkoi masën e sigurisë prej 30 ditësh, për shkak se siç deklaroi, ende nuk ishte njohur me aktet e ekspertimit.
Gjyqtarja Rezarta Vigani nuk e ka pranuar kërkesën e prokurores, duke dhënë vetëm 15 ditë masë sigurie të arrestit me burg, për 40-vjeçarin Medi Rizvani, nën akuzën e veprës penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".
Ngjarja për të cilën u dha sot masa e sigurisë, ndodhi në orën 07.50 të ditës së diel 11 tetor 2009, kur Medi Baftjar Rizvani, 40 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në afërsi të Hotel Dajtit, duke drejtuar automjetin veturë të markës "Peugeot", me targa TR 8828 N, siç deklaroi policia, me drejtim nga sheshi "Nënë Tereza" për tek sheshi "Skënderbej", ka aksidentuar 54-vjeçarin Agim Zaim Lushaj, lindur në Elbasan dhe banues në rrugën "Petro Nini Luarasi" në Tiranë.
I ndjeri, baba i tre fëmijëve, gjendej mbi një biçikletë duke shkuar për në punë, kur u përfshi në aksident.
Viktima i aksidentit, nuk kishte me vete mjete identifikimi dhe ai u arrit të gjendej vetëm 24 orë më vonë pas identifikimit në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ekspertët e Mjekësisë Ligjore thanë se konstatuan që në aksident, i ndjeri kishte pësuar plagë të rënda deri në shkulje të zemrës dhe dëmtime të tjera fizike.Â
Më herët, pasditen e së Dielës, djali i 54-vjeçarit dhe familjarët e tjerë, duke mos pasur asnjë informacion rreth vendndodhjes së të ndjerit, kishte depozituar një kallëzim në Komisariatin nr 1 ku lajmëronte humbjen e babait në rrethana të paqarta dhe kërkonte ndihmën e policisë.
Kjo e fundit, deklaroi dje se personi i shpallur si i humbur, ishte pikërisht viktima i aksidentit të ndodhur në orën 07.50 të së dielës në bulevard, për të cilin, gjashtë orë më vonë, në 13.30, u bë arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit Medi Rizvani, nën akuzën për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor", parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal" dhe shtoi se u kryen veprimet procedurale dhe materialet do t'i kalojnë Prokurorisë.
/f.sh/e.r/NOA/