English

Lëvizja Mjaft: Jo rritjes së çmimit të energjisë, kërkuar nga kompania CEZ

Tiranë, 14 tetor NOA - Lëvizja Mjaft reagoi sot për rritjen e kërkuar të çmimit të energjisë elektrike nga kompania CEZ e cila kontrollon 74% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).

Reagimi i Lëvizjes vjen në një kohë kur Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka marrë në shqyrtim kërkesën për rritje çmimi, ndërkohë që një diskutim i mirëfilltë publik mbi këtë çështje kaq të ndjeshme ende nuk ka nisur.

"Të gjithë ne mësuam këto ditë se qytetarët shqiptarë, familjarë apo biznese, të pasur dhe sidomos të varfër, rrezikojnë të përballen me një rritje të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike", tha sot për mediat televizive Aldo Merkoçi nga Lëvizja Mjaft).

Merkoçi argumentoi se më së pari, një rritje e tillë është e papërballueshme, sepse në kushtet e një krize ekonomike, tashmë të pranuar edhe nga qeveria, çdo rritje çmimi i një produkti jetik si energjia elektrike, do të vendoste përballë vështirësish serioze konsumatorët shqiptarë, të cilët ende nuk po trajtohen me asnjë masë mbrojtëse nga efektet e krizës.

Aktualisht, OSSH ka kërkuar një rritje të çmimit të energjisë elektrike në masën 18.7% për konsumatorët familjarë dhe një rritje të konsiderueshme për bizneset, respektivisht 22.7% për tensionin e ulët dhe 31.1% për tensionin e mesëm.

Merkoçi theksoi se sipas shifrave zyrtare të INSTAT, ka pasur një rënie të konsumit të energjisë elektrike nga bizneset me 6.5% për 6-mujorin e parë të 2009, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

"Kjo statistikë flet për rënie të aktivitetit të biznesit gjatë këtij viti, duke qenë njëkohësisht edhe një simptomë e qartë e prekjes së këtij sektori nga kriza ekonomike", vijoi ai.

Në këto kushte, Lëvizja Mjaft! gjykon se një rritje çmimi për konsumatorët biznes do të shkaktonte efekte të pariparueshme për komunitetin e biznesit, duke dhënë goditje të ashpër në mbarë ekonominë e vendit.

Ndërkaq, konsumatorët familjarë rrezikojnë të përballen me një masë tjetër po aq të rëndë sa dhe vetë rritja e çmimit.

Blerësi i Sistemit të Shpërndarjes i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë të heqë edhe fashën e parë të konsumit prej 300 kilovat/orësh, e njohur edhe si "fasha e varfërisë", e cila është e vetmja masë mbrojtëse për shtresat në nevojë që mbulohen nga kjo sasi konsumi.

"Kjo do të thotë se mbi 373 mijë shqiptarë, që janë më të varfrit ndër ne, nuk do të kenë asnjë lloj mbrojtjeje nga shpenzimet në rritje për energji dhe do të kenë një përkeqësim të kushteve të jetesës", tha Merkoçi. Për më tepër, qeveria shqiptare nuk ka ndonjë plan alternativ mbrojtjeje apo kompensimi për familjet e varfra, duke e lënë këtë kategori tërësisht të zbuluar ndaj ndryshimeve të propozuara.

Lëvizja Mjaft! i kërkon Entit Rregullator të Energjisë që të mos pranojë asnjë rritje çmimi të energjisë elektrike, qoftë për konsumatorët familjarë, apo për konsumatorët biznes. Mjaft! thekson se çdo rritje e propozuar e çmimit është e palogjikshme, për sa kohë ka një rritje të humbjeve të pajustifikuara të energjisë në 36%, krahasuar me 32% në 2008-ën.

Gjithashtu, është e padrejtë që të rritet çmimi për sa kohë që rreth 94 mijë konsumatorë ende nuk janë pajisur me matës të energjisë dhe për sa kohë nuk janë kryer investimet e parashikuara qoftë nga qeveria, qoftë nga blerësi i OSSH, kompania CEZ.

Për më tepër, Lëvizja Mjaft! gjykon në një kohë që vendet evropiane, por edhe fqinjët tanë rajonalë, po zbatojnë masa lehtësuese financiare ndaj biznesit dhe qytetarëve për të zbutur efektet e krizës ekonomike, me legalizimin e rritjes së çmimit të energjisë, qeveria jonë do të rëndonte edhe më tej efektet e krizës mbi shqiptarët; efekte që tashmë janë në pikun e tyre më të lartë.

e.r/NOA

KOMENTE