Tiranë, 14 tetor NOA - Një 50-vjeçar po lufton me vdekjen në spital, pasi në gjendje kritike për jetën u dërgua te bluzat e bardha, i aksidentuar në punë e sipër.
Burime në qendrën spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, i thanë agjencisë NOA se në orën 03.30 të ditës së sotme, është sjellë me urgjencë, 50-vjeçari Sinan Aldeda, lindur e banues në Mëzes të Tiranës.
Viktima, punëtor në Fabrikën e Plasmasit në Mëzez, me pronar shtetasin Vullnet Haka., u dërgua në urgjencën spitalore, i shoqëruar nga disa persona të tjerë, punëtorë edhe ata të kësaj fabrike.
Nga hetimet e para që ka kryer policia e cila ka shkuar në vendngjarje pas informimit mbi incidentin, mësohet se 50-vjeçari, i cili ishte në turnin e tretë në fabrikën e plastmasit, është dëmtuar gjatë punës, duke marrë plagë serioze, ndërsa shtuan se po kryhen hetime mbi shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
Mjekët thanë se gjendja e të dëmtuarit paraqitet serioze ndërkohë që po vazhdon ndërhyrja mjekësore ndaj tij.
f.sh/NOA