Tiranë, 14 tetor NOA-Presidenti i Komisionit Evropian, Joze Manuel Barroso, i ka dërguar një letër Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ku thekson se "pres me padurim zhvillimin e marrëdhënieve më të ngushta me Shqipërinë".
Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se Kryetarja Topalli, mori sot një letër nga Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, të cilën ia dorëzoi personalisht Ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan.
Në letrën e tij Presidenti Barroso, shkruan se "kjo është koha e mundësive të mëdha si për Shqipërinë dhe për Evropën; koha kur qytetarët tanë presin nga ne, që të ndërtojmë për ta një të ardhme të begatë, të qëndrueshme dhe të sigurt për të gjithë.
Por, gjithashtu, sfida të reja na presin, duke filluar me daljen nga kriza globale dhe përballimin e ndryshimit te klimës".
Presidenti Barroso shpreh besimin në këtë letër se "nëse ne mund të mbrojmë vlerat tona dhe të angazhojmë forcat tona për të arritur më të mirën, vitet që po vijnë do të na lejojnë të hapim rrugën që do t'i japë formë suksesit tonë në dekadat e ardhshme".