English

Topi viziton bashkinë e Ljubljanës gjatë vizitës zyrtare në Slloveni

Tiranë, 14 tetor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Slloveni, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Bashkisë së Ljubljanës, Zoran Jankoviç dhe anëtarë të këshillit bashkiak të këtij qyteti.

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, takimi u zhvillua në mjediset e kësaj bashkie dhe ndër të tjera, kryebashkiaku slloven uroi presidentin Topi për sukseset që ka arritur Shqipëria, siç ështe anëtarësimi në NATO dhe përparimi i saj në rrugën e integrimit evropian. Jankoviç vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të pushtetit vendor dhe proceseve të binjakëzimeve me qytete të ndryshme ballkanike dhe në shenjë nderimi i dhuroi presidentit Topi një pjatë të kristaltë të gdhendur me motivet e Pleçnikut. Në fjalën e tij, Topi vlerësoi punën e kryetarit të Bashkisë së Ljubljanës për konservimin dhe reastaurimin e kryeqytetit slloven, i cili është zgjeruar duke ruajtuar njëkohësisht edhe identitetin e tij.

"Shihet qartë ravijëzimi modern dhe ruajtja e mendësisë së qyteteve të vjetra të Evropës duke mbajtur ekuilibrat e duhur harmonikë mes zhvillimit urban dhe natyrës", vlerësoi ai.

Nga ana tjetër, presidenti shqiptar i dhuroi kryebashkiakut slloven Jankoviç Kullën e Sahatit të Tiranës, simbolin më të veçantë të kryeqytetit shqiptar duke lënë edhe një shënim në formë urimi në Librin e Artë të Miqve të Bashkisë së Ljubljanës.

n.e/NOA

KOMENTE