Bruksel, 14 tetor NOA-Komisioneri Evropian për Zgjerimin Olly Rehn ka paraqitur në Bruksel raportin vjetor të Komisionit Evropian për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e përpjekjeve të rajonit për t'u integruar në Bashkimin Evropian.
Raporti ka konfirmuar vendosmërinë e BE-së që të gjitha vendet të anëtarësohen në familjen evropiane sapo të përmbushin kushtet e përcaktuara.
Komisioni konstaton se rajoni ka shkallë të ndryshme të zbatimit të reformave politike e ekonomike.
Komisioni ka propozuar fillimin e një procesi që do të çojë në udhëtim pa viza në BE të qytetarëve të Kosovës si dhe fillimin e përgatitjeve për një marrëveshje të përgjithshme tregtie kur Kosova të ketë plotësuar kushtet e duhura.
"Këto masa do t'i tregojnë Kosovës se afrimi me BE-në nuk është diçka abstrakte, por kjo ka të bëjë me përfitime të vërteta, të prekshme për të gjithë," tha zoti Rehn.
"Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve anëtare të pranojnë propozimet tona dhe të garantojnë që Kosova të jetë në të njëjtin ritëm të zhvillimeve si dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor."
Për Maqedoninë, Komisioni ka rekomanduar fillimin e negociatave të anëtarësimit katër vjet pasi vendi mori statusin e kandidatit.
Zoti Rehn tha se ai e konsideronte fillimin e negociatave "si një inkurajim shumë të fortë për të zgjidhur çështjen e emrit me qëllim që ta largojë këtë çështje nga rendi i ditës".
"Besoj se qeveria në Shkup e merr gjithashtu këtë mesazh," tha ai.
Mosmarrëveshjet për çështjen e emrit me Greqinë penguan anëtarësimin e Maqedonisë në NATO vitin e shkuar.
m.i/NOA