Tiranë, 14 Tetor NOA - Një grua është zhdukur në rrethana të mistershme në Tiranë dhe pas denoncimit të të shoqit, policia është vënë në lëvizje për gjetjen e saj.
Zyber Dervishi, një 62 vjeçar me banim në Kamëz, ka denoncuar në komisariatin nr 5 të Policisë së Tiranës, duke sinjalizuar se e shoqja e tij, Nadire Servishi, 58 vjeçe, ishte zhdukur në mënyrë të mistershme.
Kallëzuesi i ka sqaruar policisë se që nga pasditja e së Hënës, e shoqja e tij ishte larguar nga shtëpia por nuk ishte kthyer më.
Për orë të tëra, 62-vjeçari nuk ka reshtur kërkimet nëpër të afërm dhe të njohur. Kur ka dështuar në këto kërkime si dhe kur ka parë që e shoqja nuk po kthehej në shtëpi, ka kërkuar ndihmën e policisë.
Kjo e fundit, konfirmoi sot për agjencinë NOA se ka pranuar një kallëzim në orën 08.30 nga shtetasi Zyber Dervishi, ndaj u bë shpallja në kërkim e bashkëshortes së tij.
Policia tha se po punohet për gjetjen dhe sqarimin e rrethanave të largimit të gruas kurse pohoi se për hetimet të mëtejshme do të ndërhyjë dhe Prokuroria e Tiranës.
f.sh/NOA