Tiranë, 15 tetor, NOA - Përfaqësuesi i Komisionit Evropian në vendin tonë, ambasadori Helmut Lohan, i ka dorëzuar kreut tw shtetit, Bamir Topi, raportin vjetor të Përparimit që ky institucion evropian ka hartuar për Shqipërinë.
Nga ana e tij, Presidenti Topi e falwnderoi ambasadorin Lohan për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë në procesin e përmbushjes së standardeve dhe kërkesave për integrimin në familjen e madhe evropiane, ku vendi ynë dhe populli shqiptar aspirojnë të jenë pjesë me arritjet dhe vlerat e tyre më të mira.
Lidhur me to, presidenti vuri në dukje përpjekjet dhe reformat e ndërmarra nga shtetit shqiptar me këtë asistencë për forcimin e demokracisë në vend, konsolidimin e institucioneve, forcimin e shtetit ligjor, pavarësinë dhe profesionalizmin e medias, respektimin e të drejtave të njeriu dhe nënvizoi se ne jemi të vetëdijshëm për punën dhe sfidat e reja që na presin, për përballimin e së cilave kemi vullnetin dhe angazhimin maksimal. Pasi i dorëzoi Presidentit Topi Raportin vjetor të Përparimit të KE-së, Ambasadori Lohan shprehu kënaqësinë për këtë takim me lryetarin e shtetit duke vënë në dukje rolin pozitiv të Presidentit si autoriteti më i lartë moral i vendit dhe si garantues i integritetit të Kushtetutës dhe të ligjit.
Ambasadori Lohan vlerësoi gjithashtu edhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan si dhe në arenën ndërkombëtare.
n.e/NOA