English

BERZH ul parashikimet ekonomike për 2009, pritet rimëkëmbje e dobët në 2010

Pritet që Shqipëria të shmangë reçesionin

Tiranë, 15 Tetor NOA - Ekonomitë e Europës qendrore dhe lindore priten të tkurren me një mesatare prej 6.3 për qind në 2009 pas një ulje të theksuar të prodhimit në gjysmën e parë të vitit, vlerësoi sot BERZH - Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim.

Shenja të një rritjeje pozitive në tremujorin e tretë të vitit 2009 tregon se reçesioni po arrin tani pikën më të ulët në shumë vende të rajonit të BERZH. Megjithatë, çdo përmirësim në vitin 2010 pritet të jetë i lehtë dhe i pjesshëm.

Raporti i Tranzicionit i BERZH i 2009 i cili do të publikohet i plotë në muajin e ardhshëm, tregon se ka mundësi të këtë diferenca të rëndësishme ndërmjet rritjes ekonomike të shteteve në vitin 2010, me një nivel rritjeje mesatare prej 2.5 për qind për rajonin. Â

"Gjithashtu është e qartë se kostoja sociale e krizës ekonomike botërore ka mundësi të ndjehet vetëm në fillimin e vitit tjetër, kur falimentimet e kompanive dhe papunësia do të vazhdojnë të rriten. Gjithashtu, rritja ekonomike gjatë periudhës afatmesme në rajonin e BERZH ka mundësi të jetë nën nivelin e përjetuar gjatë dhjetëvjecarit të fundit." - tha sot, Erik Berglof, Krye-Ekonomisti i BERZH.

Megjithëse rritja ekonomike vjetore në vitin 2010 tani parashikohet të jetë më e lartë se 1-1/2 për qind e parashikuar nga BERZH në maj, kjo reflekton më shumë rimëkëmbjen nga një recesion më i madh në pjesën e parë të këtij viti se ai i parashikuar, sesa një ekonomi më të fortë gjatë 2010.

Disa nga faktorët që pengojnë rritjen ekonomike në vitin 2010 janë ritmi i ngadaltë i rimëkëmbjes së tregut të eksporteve (veçanërisht në zonën e euros) dhe vazhdimi i kreditimit të kufizuar, ndërsa bankat vazhdojnë të pakësojnë asetet e tyre në rajon dhe ndërsa huadhënia për individët dhe firmat e  vogla vazhdon të jetë e kufizuar nga rritja e huave të këqija. Â

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me afërsisht 3 për qind në vitin 2009, në rënie nga rritja prej 6.8 për qind e vitit 2008.

Në vazhdim të një rënie ekonomike të mëtejshme të pritur në gjysmën e dytë të vitit, ekonomia ka mundësi të rimëkëmbet në vitin 2010.

Peter Sanfey, Ekonomist i BERZH për Evropën jug-lindore u shpreh se efekti i krizës botërore në Shqipëri ka qenë i përmbajtur, së pari në sajë të sistemit relativisht të fortë bankar që është zhvilluar mirë në vitet e fundit dhe ekspozimit të kufizuar të ekonomisë shqiptare ndaj tregjeve ndërkombëtare.

Megjithatë, - shtoi ai, - rritja do të ndikohet nga një ulje e pritur e eksporteve, remitancave dhe investimeve të brendshme dhe deficiti i madh aktual do vazhdojë të jetë një sfidë e madhe për vitet në vazhdim.

"Kontrolli fiskal mund të nevojitet për të ruajtur balancimin e buxhetit dhe bankat tregtare do t'u duhet të monitorojnë me kujdes portofolët e huave ndërsa ekonomia rimëkëmbet pas krizës", - përfundoi z.Sanfey.

Rimëkëmbja mbulon ndryshimet ndërmjet shteteve

Ekonomitë që vazhdojnë të përballen me probleme në sektorin e tyre bankar dhe pengesa të brendshme për rikthimin e besimit mund të tkurren sërish në vitin 2010 ose të kenë vetëm një rritje të vogël.

Në disa vende ku kursi i këmbimit është i fiksuar me një valutë të huaj, nevoja për të rregulluar kurset reale të këmbimit nëpërmjet çmimeve dhe pagave mund të rëndojë mbi kërkesën totale.

Po kështu mund të ndikojë edhe nevoja për rregullime të mëtejshme fiskale. Kjo mund të ngadalësojë rimëkëmbjen në vendet si Bullgaria, Letonia ose Lituania.

Shpejtësia e rimëkëmbjes është veçanërisht e paqartë në Rusi dhe Kazakistan të cilat kanë pozicione më të forta fiskale por që në të njëjtën kohë vuajnë nga sisteme të dobëta bankare dhe nga një nivel i lartë i huave me probleme dhe një varësi ndaj mallrave të konsumit të gjerë. Â

Perspektiva për rimëkëmbje për këto shtete do të varet nga suksesi i autoriteteve në pastrimin e sistemit bankar, si edhe niveli i rimëkëmbjes ndërkombëtare, veçanërisht nëpërmjet ndikimit të kësaj të fundit në çmimet e mallrave të konsumit të gjerë.

Ekonomia e Rusisë pritet të tkurret me 8.5 për qind në 2009 krahasuar me një vit më parë, e ndjekur nga një përmirësim në fund të vitit 2009 dhe një rritje vjetore prej 3 për qind në 2010. Kazakistani do të vuajë një rënie të prodhimit më të vogël këtë vit (afërsisht 1.5 për qind) por rimëkëmbja pritet të jetë e dobët në nivelin e +1.5 për qind.

Në disa shtete konkurruese në arenën ndërkombëtare si Shqipëria, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia ku sistemet bankare para krizës ishin relativisht të forta pritet një rritje relativisht më e shpejtë në vitin 2010, në një nivel ndërmjet 2 dhe 5 për qind.    Â

Disa vende të pasura me mallra të konsumit të gjerë si Azerbajxhani, Mongolia dhe Turkmenistani, sistemet financiare të të cilëve ishin më të vegjël dhe më pak të ndikuar nga kriza, dhe rritja ekonomike e të cilëve ndikohet kryesisht nga mallrat e konsumit të gjerë, pritet të kenë rritje të shpejta në vitin 2010 në një nivel prej 5 për qind ose më shumë.

Në Hungari, e cila u godit mjaft fort në fillim të krizës, kriza është frenuar në sajë të mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare si edhe në sajë te politikave të brendshme të mira. Megjithatë, rritja ekonomike në vend pritet të jetë e ulët në vitin 2010 si rezultat i rregullimeve të nevojshme fiskale dhe vazhdimit të kredidhënies së kufizuar. Pritet të ketë një rënie të vogël vitin tjetër, si rezultat i një ekonomie të dobët në fundin e vitit 2009 dhe fillimin e 2010.

e.r/NOA

KOMENTE