Tiranë, 15 Tetor NOA - Gëzim Gjoni i ka kryer ditët e mbetura të dënimit dhe doli nga burgu pasditen e së Enjtes. Lajmi u konfirmua për agjencinë kombëtare të lajmeve NOA nga burime zyrtare të policisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe nga vetë i liruari.
Duke folur ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve NOA, Gëzim Gjoni tha menjëherë sapo la ambientet e vuajtjes së dënimit, se "unë kreva ditët e mbetura të dënimit dhe tani dua t'i rikthehem punëve të përditshme që kam".
Gjoni vlerësoi më tej se ""Hakmarrjen" media e ka shfrytëzuar për t'i treguar politikës se po e ndihmon dhe për të bërë tregti".
Në intervistën e mëposhtme, z. Gjoni flet mbi arrestimin që sipas tij ishte inekzistent, akuzat për "Hakmarrjen për Drejtësi" dhe pse ka vendosur të mos mbajë shpresat te drejtësia shqiptare por tek ajo ndërkombëtare.
NOA: Policia doli më 30 shtator me një deklaratë ku tha se kreu një operacion të posaçëm për arrestimin tuaj. Në të vërtetë, sikundër raportuam para afro dy javësh, ju vetë u paraqitët në polici për të kryer ditë të mbetura dënimi. Duam t'ju pyesim, pse mendoni se ndodhi kjo?
GJONI: "Jam dënuar me pesë vjet dhe sipas llogarive kisha bërë 20 ditë më shumë, por prokurorët donin të bëja edhe 15 ditë të tjera dhe kisha shkuar në polici shumë herë që t'i bëja. Kam punë dhe nuk doja të pengohesha, prandaj isha i interesuar ta kryeja sa më parë dënimin e padrejtë. Ditën e parafundit më thanë të shkoja të nesërmen. Shkova, por lajmin e dhanë siç deshën. Nuk ka faj policia, por ata që kanë vënë në postet kyçe persona që e kanë krijuar me shpifje dhe falsifikime "Hakmarrjen". Ata vazhdojnë të mashtrojnë popullin.
NOA: U shprehët në fillim se raportin me mediat nuk e dëshironi më madje këmbëngulët që të mos flisni, gjë që më parë nuk ka ndodhur, pse ky qëndrim?
GJONI: Në fakt kam folur shumë për gazetat. Kam dhënë disa intervista, por ato kanë qenë në sallën e gjyqit kur unë kam provuar pafajësinë time dhe nuk kanë shkruar. Edhe në rastin e fundit, në qoftë se gazetari i agjencisë NOA nuk do të kishte marrë vëllanë tim në telefon, mediat do të kishin vazhduar të shkruanin e thoshin çudira për "operacionin", që ta bënin sa më të ngjashëm me atë të filmave.Â
NOA: Mbrojtja juaj ligjore ka depozituar ndonjë ankesë?
GJONI: Avokati Dylber Mani e ka bërë ankesën në Gjykatën e Lartë, por unë nuk besoj më në gjykatat tona.
NOA: Pse jeni të motivuar të mos besoni te gjyqësori shqiptar?
GJONI: Nuk merrem me gjykatat në përgjithësi, dhe nuk di sa të korruptuara janë, por unë e di shumë mirë se në rastin tim, domethënë të "Hakmarrjes për Drejtësi", politika nuk e ka korruptuar gjykatën, nuk e ka nënshtruar, por e ka degjeneruar plotësisht.
NOA: Por gjykatës i janë paraqitur prova, të paktën sipas hetimit...
GJONI: Çfarë të thuash dhe çfarë të bësh kur gjykata e pranon se të gjitha provat janë falsifikuar dhe, megjithëkëtë, të dënon për krime që nuk të ka shkuar mendja as në ëndërr që t'i kryesh?
NOA: Gjithsesi, çdo shtetas ka mundësi të kërkojë të drejtën e tij edhe në drejtësinë ndërkombëtare. Ju e keni menduar këtë?
GJONI: Sigurisht. Unë do të vazhdoj të kërkoj të drejtën time deri sa të më jepet. Vjet në gusht  u kërkova ndihmë ambasadave të BE-së, OSB-së, ambasadës së SHBA dhe ambasadës Gjermane. Do vazhdoj të ankohem në të gjitha ato vendet ku jepet drejtësi, në Strasburg e në çdo vend tjetër".
NOA: Ju faleminderit.
Deklarata e plotë e policisë, për arrestimin e Gjonit më 30 shtator 2009:
Tema:Â Ekzekutohet vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në ngarkim të shtetasit Gëzim Gjoni, i akuzuar si një nga anëtarët e organizatës Hakmarrje për Drejtësi
Njoftim për shtyp Sektori i Operacioneve Speciale në Drejtorisë e Policisë Qarkut Tiranë ditën e sotme ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, të datës 01 Korrik 2008, në ngarkim të shtetasit Gëzim Sali Gjoni, 44 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Ky shtetas akuzohet, si një nga anëtarët e Organizatës Kriminale "Hakmarrja për Drejtësi dhe konkretisht i akuzuar për veprat penale të Vjedhjes me pasojë vdekje dhe të Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit në rrethana lehtësuese" në bashkëpunim, në formën e organizatës kriminale, vepra penale të parashikuara në nenet 139, 109/a, 28 dhe 334 të Kodit Penal. I kërkuari është deklaruar fajtor, me vendimin Nr.44 të datës 01 korrik 2008, duke u akuzuar për rrëmbim dhe mbajtje peng të personit në rrethana lehtësuese, në dëm të një të mituri. Po ashtu, ky shtetas akuzohet për vjedhje me armë e realizuar në bashkëpunim në formën e organizatës kriminale, në dëm të një shtetasi, të cilët i kanë vjedhur me dhunë shumën e parave prej 12 milionë lekëve. Nga specialistë të sektorit të Operacioneve Speciale u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet Rënda Tiranë.Â
Lexoni më poshtë, lajmin e raportuar nga NOA më 30 shtator 2009:
Tiranë, 30 Shtator NOA - Për futjen në burg të Gëzim Gjonit, jo vetëm që nuk është zhvilluar asnjë operacion policor, por në të vërtetë, i dënuari kishte shtatë ditë që shkonte në polici për të sqaruar rrethanat e tij.
Ilir Gjoni, vëllai i Gëzim Gjonit i cili mesditën e sotme u dërgua në mjediset e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, flet ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve NOA, mbi këtë argument.
"Gëzimi Gjoni është dënuar me 5 vjet dhe ishte në gjendje të lirë. Sipas llogarive të prokurorisë i kishin mbetur edhe 14 ditë burg për të kryer. Ka shkuar në polici ditë për ditë gjatë javës që shkoi, e po ashtu, edhe dje për të bërë të 14 ditët", - tregon Ilir Gjoni duke folur me agjencinë e lajmeve NOA.
Iliri evidenton faktin e cituar nga policia se "nuk kishte shkuar vendimi" dhe vijon: "Dje i thanë që të shkonte sot (e Mërkurë) dhe ai shkoi në orën 13.00 dhe kjo është e vërteta".
Ilir Gjoni pohon se "lajmi për kapje dhe skuadër speciale që e ka prangosur janë budallallëqe që duan të tregojnë "suksesin" e policisë".
Ndërkohë, vëllai i Gëzim Gjonit, detajon edhe atë që Policia e Tiranës e cilëson si një operacion të suksesshëm: "Gëzimi erdhi dje sërish në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke kërkuar që të vuajë kohën e dënimit prej 14 ditësh. I thanë se nuk kishte vend dhe se duhet të vinte nesër (e Mërkurë) në orën 13.00. Ashtu bëri, u nis në drekë për të shkuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, me makinën e tij dhe u paraqit brenda ambienteve".
Po ashtu, Iliri tregon se i ka dhënë pasaportën biometrike dhe kartën e identitetit policisë e cila pasi i fotokopjoi, ia ktheu mbrapsht.
Në përfundim të deklarimeve të tij për atë që u cilësua arrestimi i vëllait, Ilir shprehet i indinjuar: "Ne duam të punojmë, jemi të angazhuar me punë, detyrimet e shtetit duhet të plotësohen dhe ne të vazhdojmë punën", duke iu referuar biznesit të inerteve.
/e.r/f.sh/NOA/