Tiranë, 15 tetor NOA - G99 protestoi sot përpara godinës së Radio-Televizionit Shqiptar, duke kërkuar ndryshimin radikal të funksionimit të këtij institucioni të informimit publik që financohet nga taksapaguesit shqiptarë.
Kreu i G99, Erion Veliaj, theksoi se TVSH-ja është kthyer në një megafon ekskluziv për familjen e kryeministrit e të zëvendësit te tij. Ndërkohë, Genc Kojdheli nënvizoi se G99 është e vendosur në përpjekjen për t'ia kthyer TVSH-në qytetarëve shqiptarë, të cilët me taksat e tyre financojnë këtë institucion. "TVSH është i vetmi televizion që mbahet me taksat e shqiptarëve, të majtë a të djathtë, në jug a në veri, dhe është e padrejtë dhe abuzive që ky institucion i informimit publik t'i shërbejë vetëm kastës në pushtet" tha Kojdheli, duke shtuar se, është koha që TVSH të transformohet në një institucion profesional që informon publikun në mënyrë të ndershme e të paanshme, pa i shërbyer padronit të radhës. G99 njoftoi se do të vazhdojë betejën për reformimin e TVSH-së, me një sërë dëgjesash publike me grupet e interesit dhe specialistë të fushës, dhe duke e finalizuar me një propozim të detajuar për reformimin e tërësishëm e përfundimtar e këtij institucioni.
G99 i bën thirrje mazhorancës qeverisëse, e veçanërisht Kryeministrit Sali Berisha, të lexojë me vëmendje kritikat e sugjerimet e ndërkombëtarëve e aktorëve vendas, për ta reformuar e për ta lenë të lirë TVSH-në nga uzurpimi politik. k.k/NOA